Qeveria e Kosovës mohon të ketë zhvilluar “takime të fshehta” me përfaqësuesit e Serbisë në Zvicër
Qeveria e Kosovës ka mohuar raportimin e gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” për zhvillimin e “takimeve të fshehta” midis përfaqësuesve të saj dhe atyre të Serbisë në Zvicër, të cilat janë organizuar në kuadër të përpjekjeve të qeverisë zvicerane për të ofruar një platformë për dialog jozyrtar mes Prishtinës dhe Beogradit.
Klisman Kadiu, këshilltar për medie i zëvendëskryeministrit të Kosovës, ka hedhur poshtë pretendimin e gazetës zvicerane se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka takuar kryediplomatin serb, Marko Gjuriç, në Solothurn – qytet në pjesën verilindore të Zvicrës, midis Baselit dhe Bernës. “Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj. Por këto takime nuk janë ‘të fshehta’. Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka pasur takime ‘të fshehta’, e aq më pak me Marko Gjuriq. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriq. Pra Zëvendëskryeministri Bislimi, nuk ka pasur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
E përditshmja zvicerane ka pretenduar se edhe Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, ka marrë pjesë në disa prej takimeve në Solothurn. NZZ ka theksuar se qëllimi i takimeve, të cilat zhvillohen qe njëmbëdhjetë vjet, nuk ka qenë kurrë arritja e ndonjë marrëveshjeje, por krijimi i besimit reciprok.
Në mars të vitit 2026 do të bëhen tre vjet që nga momenti kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, por që ende nuk ka nisur zbatimi i plotë, derisa nuk janë mbajtur as takime të nivelit të lartë në Bruksel që nga mesi i vitit 2023.



