Qeveria e re ta përfshijë çështjen e Luginës në dialogun me Serbinë

15 shkurt 2021 | 10:43

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë me dije se Qeveria e re Kosovës duhet t’i ketë parasysh kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai ka thënë se kjo qeveri duhet ta përfshijë në dialogun me Serbinë çështjen e Luginës. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Kamberi ka thënë se kjo është mundësia e fundit për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve të asaj pjese. “Ajo që në vazhdimësi po e kërkojmë: që çështja e Luginës së Preshevës të përfshihet në dialogun me Beogradin, si mundësia e fundit për të ndikuar në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, duke kërkuar respektimin e parimit të reciprocitetit në respektimin unik dhe reciprok të të drejtave të komuniteteve”, ka deklaruar Kamberi. Ai e ka kritikuar vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd që ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Kamberi ka thënë se kjo është një precedent i rrezikshëm, i cili e kthen Serbinë në periudhën e Aleksandër Rankoviqit. “Kjo paraqet dëshmi për ndikimin politik në sistemin e gjyqësorit. Ato tregojnë se partia në pushtet në Serbi ka kapur gjitha institucionet, prandaj edhe ky vendim i Gjykatës së Lartë, ndaj padisë së Këshillit Kombëtar, paraqet ndërhyrje të vrazhdë të politikës në sistemin e drejtësisë. Ky është një precedent i rrezikshëm, që na kthen në periudhën e Aleksandër Rankoviqit dhe legjitimon e legalizon gjuhën e urrejtjes ndaj komuniteteve në Serbi”, është shprehur ai.

Më tej, Kamberi ka treguar se edhe fjalimi i tij në gjuhën shqipe në parlamentin serb ka qenë si shenjë proteste ndaj këtij vendimi. “Vendimi im për t’u shprehur në gjuhën shqipe në Parlament, ishte edhe një formë e shprehjes së rezistencës, ndaj këtij vendimi konkret, por edhe politikës diskriminuese e cila është mohuese ndaj kërkesave dhe të drejtave tona”, ka thënë ai, duke treguar për reagimet që ka marrë. “Reagimet u panë në vetë seancën, jo që nuk kishte mirëkuptim, apo ndonjë shprehje keqardhje ndaj toneve raciste të A. Vulin, aq më tepër, nga radhët e deputetëve të SNS u tentua që përmes ndërhyrjeve të më pengojnë në mbajtjen e fjalimit. Por, agresiviteti i shprehur i tyre vetëm më ka inkurajuar edhe më tepër për ta përfunduar fjalimin tim”, është shprehur Kamberi.

“Epoka e re”: Z. Kamberi, Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Si e keni parë këtë vendim të gjykatës?
Kamberi: Kjo paraqet dëshmi për ndikimin politik në sistemin e gjyqësorit. Ato tregojnë se partia në pushtet në Serbi, ka kapur të gjitha institucionet, prandaj edhe ky vendim i Gjykatës së Lartë, ndaj padisë së Këshillit Kombëtar, paraqet ndërhyrje të vrazhdë të politikës në sistemin e drejtësisë. Ky është një precedent i rrezikshëm, që na kthen në periudhën e Aleksandër Rankoviqit dhe legjitimon e legalizon gjuhën e urrejtjes ndaj komuniteteve në Serbi.

 “Epoka e re”: Më pas ju mbajtët një fjalim në gjuhën shqipe në parlamentin e Serbisë. Pse ndodhi kjo dhe a kishte ndonjë reagim ndaj jush, meqenëse për herë të parë pas luftës dikush po mbante fjalim në gjuhën shqipe në këtë institucion?
Kamberi: Vendimi im për t’u shprehur në gjuhën shqipe në parlament ishte edhe një formë e shprehjes së rezistencës, ndaj këtij vendimi konkret, por edhe politikës diskriminuese e cila është mohuese ndaj kërkesave dhe të drejtave tona. Reagimet u panë në vetë seancën, jo që nuk kishte mirëkuptim apo ndonjë shprehje keqardhje ndaj toneve raciste të A. Vulin, aq më tepër nga radhët e deputetëve të SNS u tentua që përmes ndërhyrjeve të më pengojnë në mbajtjen e fjalimit. Por, agresiviteti i shprehur i tyre vetëm më ka inkurajuar edhe më tepër për ta përfunduar fjalimin tim.

 “Epoka e re”: Qeveria e re e Serbisë tashmë ka kaluar 100-ditëshin e punës. Çfarë ka treguar për këto periudhë kjo qeveri?
Kamberi: Asgjë konkrete. Vetë fakti që qeveria Brnabiq 2 nuk ka prezantuar në parlament për 100 ditët e para është dëshmi të mjaftueshme për të nxjerrë konkluzion se rezultatet e saj, në shumë sfera, sidomos rreth procesit të integrimit në BE dhe përmbushej së obligimeve që sjellin kapitujt integrues, janë tejet modeste.

 “Epoka e re”: Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt dhe kësaj radhe në lisat zgjedhore të partive ka pasur edhe kandidatë nga Lugina e Preshevës. Si e keni parë këtë hap të partive politike në Kosovë?
Kamberi: Po, është për ta përshëndetur entuziazmin që partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 14 shkurtit, po e tregojnë rreth Luginës së Preshevës, qoftë edhe përmes përfshirjes në listat e tyre kandidatë me prejardhje nga Lugina. Mbetet për të dëshiruar që këto premtime të bëhen edhe program qeverisës i qeverisë së re në Prishtinë.

 “Epoka e re”: Siç dihet, një ndër sfidat kryesore të qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve do të jetë dialogu me Serbinë. Çfarë duhet të bëjë qeveria e re për shqiptarët e Luginës në këtë proces?
Kamberi: Ajo që në vazhdimësi po e kërkojmë: që çështja e Luginës së Preshevës të përfshihet në dialogun me Beogradin, si mundësia e fundit për të ndikuar në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, duke kërkuar respektimin e parimit të reciprocitetit në respektimin unik e reciprok të të drejtave të komuniteteve.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti e zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës,…