
Qeveria e Shqipërisë harton planin për situatën e krizës energjetike
Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim për hartimin e një plani të posaçëm për të përballuar situatën e krizës energjetike që ka prekur ketë vend dhe gjithë botën.
Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes me ministrat në një deklaratë për media ka theksuar se plani i posaçëm për të përballuar situatën e krizës energjetike do të bëhet të publik nesër.
“Sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën e furnizimit të energjisë elektrike. Vendimi është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse e çmimit në energjisë në tregjet ndërkombëtare. I jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumentet financiare, qoftë me instrument të natyrës administrative. Sot me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër”, ka deklaruar Rama.
Rama nuk la pa përmendur edhe rritjen e çmimit të bukës, një nga shqetësimet aktuale të qytetarëve, duke theksuar se rritja e çmimit reflekton tregun kërkesën dhe ofertën dhe në këtë pjesë nuk ka gisht qeveria.
Sa i përket pagave, kryeministri Rama u shpreh se në janar të vitit 2022 paga minimale do të rritet në 32 mijë lekë të reja dhe deri në fund të mandatit do të jetë 40 mijë lekë.
Rritja e çmimit të karburantit, bukës dhe kriza energjetike ishte pjesë edhe e seancës plenare të ditës së djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, ku u krijua debat i fortë mes opozitës dhe mazhorancës.
Opozita e ka bërë fajtore qeverinë, kurse Rama iu kundërpërgjigj se në kohën e PD-së, nafta ishte më shtrenjtë.
Rritja e çmimeve të karburanteve dhe bukës ka sjell pakënaqësi te qytetarët, ku dy ditë më parë u ngritën në protesta para Kryeministrisë.