Qeveria e Shqipërisë ul për 20 për qind akcizën e karburanteve
Qeveria e Shqipërisë ka vendosur ta ulë me 20 për qind akcizën e karburanteve, pak orë para mbledhjes së Bordit të Transparencës, ku pritet të rritet çmimi i naftës në treg.
Në një deklaratë për medie, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka njoftuar se akti normativ për uljen e akcizës do të jetë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës.
“Siç ka premtuar kryeministri Rama, qeveria ndërmori sot një masë konkrete për të amortizuar efektet e prodhuara nga konflikti në Iran, duke reaguar ndaj rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në 48 orët e fundit”, ka thënë Malaj.
Sipas aktit normativ, akciza do të ulet me 20 për qind në rast se çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, tejkalon: 220 lekë për litër për naftën dhe 200 lekë për litër për benzinën.
Ministri Malaj ka theksuar se ulja e akcizës do të qëndrojë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare.
“Jemi të angazhuar plotësisht për t’u përgjigjur me përgjegjësi çdo sfide, duke mbrojtur qytetarët shqiptarë nga efektet financiare të këtij konflikti, por edhe duke mbrojtur buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit tonë, sidomos në këtë moment kritik që po përballet bota sot”, ka thënë Malaj. /TCh



