Qeveria Hoti, shfuqizon vendimin e Qeverisë së kaluar për reciprocitet me Serbinë

06 qershor 2020 | 11:24

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka votuar për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Këto masa u vendosën më 1 prill nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit janë hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke i hequr pengesat për procesin e dialogut, në përputhje me zotimet që kemi dhënë para partnerëve tanë ndërkombëtar”.

“Tani presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut. Por ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shansë dialogut, por theksoi se nuk mund të japë një datë të saktë se për sa kohë ky vendim do të mbetet në fuqi.

Kryeministri Hoti tha se për vendimin për shfuqizimin e masave të reciprocitetit është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se gjatë takimit që ka pasur të premten me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka marrë zotimin se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë që Serbia po ashtu të heqë pengesat për dialog, siç është fushata për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.

“Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë edhe karshi Serbisë, që edhe ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi të heqin ato pengesa për dialog, ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti tha se ai është i gatshëm që menjëherë sapo Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, të rinisë dialogun me ta, dhe potencoi se procesin e dialogut do ta udhëheqë ai dhe jo presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Jemi të gatshëm që të ulemi menjëherë në tavolinën e dialogut. Kryeministri i vendit, në bazë të kompetencave kushtetuese, e udhëheqë dialogun. Edhe po të doja unë, nuk mund t’i transferoj kompetencat e mija kushtetuese, as te presidenti e as te askush tjetër. Unë nuk dua dhe nuk do t’i transferoj ato kompetenca”, tha Hoti gjatë konferencës për media pas mbledhjes së qeverisë.

Komunikata e plotë e qeverisë:

Qeveria miraton Rregulloren e re për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka mbajtur mbledhjen e tretë në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive.

Kjo rregullore e miratuar përcakton fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Dispozitat e kësaj rregulloreje obligojnë: Kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë, këshilltarët e jashtëm politikë, nëpunësit në kabinete dhe nëpunësit civil në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Rregullorja përcakton përbërjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat. Gjithashtu përkufizon se Qeveria ushtron pushtetin ekzekutiv në përputhje dhe në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore.

Rregullorja e re përcakton  përbërjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga këto ministri:

1.      Ministria e Financave (MF);

2.       Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR);

3.      Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS);

4.      Ministria e Mbrojtjes (MM);

5.      Ministria e Infrastrukturës (MI);

6.      Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)

7.      Ministria e Shëndetësisë (MSH);

8.      Ministria e Drejtësisë (MD);

9.      Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA);

10.  Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD);

11.  Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)

12.  Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS);

13.  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI);

14.  Ministria e Pushtetit Lokal (MPL);

15.  Ministria për Kthim dhe Komunitete (MKK);

16.  Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR);

Në mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe vendimin me të cilin ka konfirmuar vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për procedim të mëtutjeshëm për shqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës të vendimeve si në vijim:

1.      Vendimi Nr. 06/15, i datës 23.03.2020, për aprovimin e Raportit Vjetor Financiar për vitin 2019;

2.      Vendimi Nr. 02/23, i datës 08.04.2020 për aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e fuqizimit të sektorit financiar;

3.      Vendimi Nr. 05/26, i datës 23.04.2020 për aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan;

4.      Vendimi Nr. 06/26, i datës 23.04.2020 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeo-hapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim;

5.      Vendimi Nr. 07/26, i datës 23.04.2020, për aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”;

6.      Vendimi Nr. 08/26, i datës 23.04.2020, për aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”;

7.      Vendimi Nr. 01/27, i datës 30.04.2020, për aprovimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021 – 2023;

8.      Vendimi Nr. 03/27, i datës 30.04.2020, për aprovimin e Programit të Borxhit Shtetëror 2021 – 2023.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin me të cilin shfuqizohen Vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si në vijim:

  1. Vendimi i Qeverisë Nr. 01/14, i datës 20 mars 2020;
  2. Vendimi i Qeverisë Nr. 01/20, i datës 31 mars 2020, për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë;
  3. Vendimi i Qeverisë Nr. 01/37, i datës 30 maj 2020 për ndryshimin dhe plotësimin  e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/20, të datës 31 mars 2020, për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ardhmja e Lautaro Martinezit dhe kalimi i tij te…