
Qeveria, idetë korruptive dhe PDK-ja opozitare
Shkruan: Faton Abdullahu
Qeveria
Sa më të errët e paraqet qeveria aktuale të kaluarën e dy dekadave të fundit në Kosovë aq më të përshtatshme i krijon rrethanat në të cilat një sukses i saj sado i vogël sot do të perceptohet si fitore e madhe. Ose ndryshe, sa më zi thuhet e flitet për qeveritë e kaluara aq më shumë amortizohet e minimizohet çdo dështim i tashëm i qeverisë. Kriza energjetike këto ditë e ilustron këtë më së miri. Me fjalët që ta çojnë tugun të kryeministrit Kurti ‘Kosovën e kemi gjetur të gjakosur dhe përtokë në të gjithë anët’, ky populizëm, dikur opozitar, tash qeverisës, kuptohet drejt e mirë sa i shtrembët e i padrejtë është. Thënë përmbledhtazi, qëllimi i këtij koncepti të ri, por regresiv qeverisës, është për të arritur te përfundimi në të parë i logjikshëm, por në realitet i dekadent – nuk mundemi ne për disa muaj t’i riparojmë dështimet e juaja për dy dekada. Duhen shumë vite për t’i filluar ndryshimet pozitive. Për rrjedhojë, sipas kësaj logjike, e keqja është se ndërkohë qytetari duhet të presë e të durojë për ditë më të mira dhe të mos ankohet e kundërshtojë në këto ditë të këqija.
Ky koncept politik dhe tashmë qeverisës nuk është i mundshëm të ndërtohet as të mirëmbahet me fakte, sepse është rrenë. Kjo është ndërtuar dhe mbahet gjallë me bindje ideologjike. Në rastin e Kosovës kjo ideologji është majtiste populiste e cila vdes për ta filluar një etapë të re duke e rishkruar një epokë të kaluar ku Kosova u çlirua, u bë shtet dhe është vendi më demokratik në Ballkanin e mbetur jashtë BE-së. Kërkohet bindje populiste për ta kuptuar partiakisht konceptin torollak ‘qe 20 vjet është shkatërruar ky vend’ për t’u kthyer pastaj në besim të verbër politik. Kështu e kaluara po bëhet më rëndësishme se e ardhmja, sepse duhet të mbrohet e tashmja nga sukseset e kaluara dhe nga dështimet dhe mungesa e vizionit për të ardhmen.
PDK-ja
Krejt kjo që thashë më sipër nuk është krejt dhe nëse shihet ndaras nga kjo që do të them më poshtë mund të konsiderohet me të drejtë e mangët dhe jo fer. Të kuptohemi, kur ne si opozitë, pra si PDK, konstatojmë se qasja regresive ‘qe 20 vjet e keni shkatërruar këtë vend’ është gënjeshtër dhe e pamoralshme, ne nuk po e ndërtojmë mbi këtë qasje kauzën dhe alternativën tonë politike. Jo, në asnjë mënyrë. Kjo do të ishte krejt e pamjaftueshme për PDK-në. Ne nuk po themi se si PDK ne humbëm në zgjedhjet e fundit nacionale, aq sa humbëm, sepse qytetarët u gënjyen plotësisht nga partia fituese dhe ne nuk jemi fajtorë për asnjë dështim dhe për asnjë ngecje në dy dekadat e fundit. E vërteta nuk është kështu bardh e zi. Po të mendonim kështu i bie që ne si PDK sot nuk kemi pse të reformohemi, s’kemi pse të sjellim kuadro të reja në parti, aq më pak na duhen idetë e reja dhe progresive. Për më shumë kjo i bie që ne duhet të kthehemi krejt me të vjetrën, ashtu sikundër kemi qenë që të fitojmë ashtu sikundër kemi fituar në të kaluarën. Po e përsëris e vërteta nuk është kështu bardh e zi. Është më e ndërlikuar. Për më keq, në këtë rast kjo do t’i binte që qytetarët kanë gabuar në çdo aspekt në zgjedhjet e fundit nacionale. Jo, kjo nuk qëndron. PDK e ka marrë mësimin nga dështimi në zgjedhjet e fundit parlamentare, e ka lexuar humbjen drejt dhe tash sa kohë është duke vepruar në koordinim me këtë realitet të ri. Kjo është e vërtetë, po aq sa është e vërtetë që ky qytetar dhe jo vetëm ky, por edhe OJQ-të, mediet dhe analistët dhe i gjithë spektri jashtë opozitës partiake, e cila ishte shumë dhe pa rezerva me LV-në para zgjedhjeve, po shpreh zhgënjim të madh për qeverisjen aktuale e për përkrahjen që ia ka dhënë partisë fituese, gjë që këtë po e shpreh me doza të mëdha pendimi dhe me kritika të ashpra për dështimet e qeverisë aktuale.
Jam i bindur se një parti politike e ka më të lehtë t’i largojë nga radhët e veta njerëzit e korruptuar sesa idetë korruptive. E para nuk është e lehtë përkundrazi, por e dyta është pothuajse e pamundur. Idetë korruptive determinojnë ideologjinë populiste e, për rrjedhojë, qeverisjen me ideologji korruptive. Kjo në gjenezë nënkupton të thuash dhe të bësh diçka tjetër në opozitë dhe të thuash e bësh diçka tjetër në pushtet. Korrupsioni këtu nënkupton të marrësh shumë vota me shumë mashtrime. Sot, demaskimi me arkiva, duke nxjerr video se çka është thënë dje e çfarë po thuhet e bëhet sot, është mjeti më efikas, demaskuesi më demokratik i realitetit korruptiv qeverisës. Natyrisht ky është vetëm fillimi. Në vitin e ri që po hyjmë do të ketë ide të reja opozitare, kuadro të reja dhe alternativë të re politike. Me këtë dëshirë, gëzuar 2022!