Qeveria jep deklaratë për takimin në Bruksel

28 shkurt 2023 | 08:38

Dje në Bruksel kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, zhvilloi takimin e gjashtë të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut.

Para fillimit të takimit zyrtar me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell, kryeministri Kurti realizoi një takim me zëvendësndihmëssekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Me të bisedoi për pritjet nga takimi i sotshëm. Kryeministri e falënderoi z. Escobar për mbështetjen dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut.

Gjatë ditës, pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral.

Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin.

Në takimin trilateral u dakordua që teksti i propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do t’i fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar.

Marrëveshja e arritur mbrëmë është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre. Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.

Teksti i plotë i marrëveshjes është i publikuar në tërësi në uebfaqen zyrtare të Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka publikuar zyrtarisht përmbajtjen e planit të quajtur…