Qeveria jep detaje nga takimi i Kurtit me ambasadorët

20 mars 2023 | 16:41

Me ftesë të tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.

Në këtë takim të gjerë e të përbashkët, ai ka informuar ata për ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe për rezultatin e arritur aty me rastin e dakordimit publik për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë.

“Në tekst të aneksit të dakorduar në Ohër thuhet që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes dhe aneksit, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse  që rrjedhin nga marrëveshja dhe aneksi  në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Aty po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, Kurti ka theksuar se delegacioni i Republikës së Kosovës kanë qenë maksimalisht të përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që janë refuzuar nga pala tjetër (Serbia), e cila, sikurse në Bruksel më 27 shkurt, përsëri ka refuzuar të nënshkruajë.

“Rruga për procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian është e hapur. Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kosova tashmë ka numrin e nevojshëm të votave të shteteve anëtare, ndërkohë që departamenti ligjor i Këshillit ka konfirmuar se nuk ka asnjë pengesë juridike për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Në këtë takim ka qenë prezent edhe zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paraqitjet e Thomas Mullerit kishin marrë trend në rritje takimet…