“Qeveria ka dhënë garanci për Zvërnecin”, Rama publikon deklaratën e Kos: Vlerësim sipas standardeve evropiane
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka siguruar qytetarët se Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin, me ç’rast ka thënë se edhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’u referohen fakteve.
Në videon e bashkëngjitur nga shefi i qeverisë shqiptare është një deklarim i Kos, ku është shprehur se është në kontakt të vazhdueshëm me Ramën dhe se kanë marrë garanci se do të kryhet vlerësimi i plotë dhe se standardet evropiane të mjedisit do të respektohen.
“Ne kemi marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet europiane të mjedisit do të respektohen. Fakti që kjo po ndodh ndërkohë që Shqipëria po kalon procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm. Ky proces është juridikisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet një monitorimi dhe vlerësimi të vazhdueshëm.
Prandaj ai përbën garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet europiane. Lidhur me këtë, dëshiroj të shtoj se ju e dini sa i rëndësishëm është për ne e drejta për të protestuar. Ajo është një e drejtë themelore në Bashkimin tone dhe për të gjithë vendet që synojnë të bëhen pjesë e tij. Jam e lumtur të shoh se kjo e drejtë respektohet në Shqipëri”.



