Qeveria kroate miraton ligjin për heqjen e monumenteve që lavdërojnë agresionin serb

02 maj 2025 | 09:22

Deputetët në Zagreb kanë miratuar një legjislacion të ri që kërkon heqjen e mbishkrimeve në varre nga lufta e viteve 1991-1995, të cilat qytetarët mund t’i konsiderojnë ofenduese.

Të mërkurën, deputetët votuan me shumicë dërrmuese në favor të një ligji të ri të quajtur “Ligji i Varrezave”, i cili zëvendëson një politikë dydekadëshe me një set të ri rregullash që tani kërkojnë heqjen e mbishkrimeve dhe pllakave përkujtimore të ngritura gjatë konfliktit të viteve 1991-1995, “që nuk janë në përputhje me rendin kushtetues”, raporton Euronews.

Sipas një deklarate të publikuar nga Ministria e Planifikimit Fizik, Ndërtimit dhe Pasurive Shtetërore, ligji i ri ndalon mbishkrimet e bëra gjatë “okupimit dhe reintegrimit paqësor” që përmbajnë “simbolika që mund të fyejnë moralin dhe ndjenjat e qytetarëve”.

Ligji synon veçanërisht varret e ndërtuara pas datës 30 maj 1990 — dita kur ish-Republika Socialiste e Kroacisë inauguroi parlamentin e saj të parë shumëpartiak, një hap fillestar drejt pavarësisë nga pjesa tjetër e Jugosllavisë.

Qeveria kroate muajin e kaluar ka dërguar për shqyrtim parlamentar këtë projektligj të ri për varrezat, i cili parashikon heqjen e monumenteve të ngritura pas datës 30 maj 1990 që lavdërojnë agresionin serb kundër Kroacisë, përfshirë edhe mauzoleun e Vukashin Shoshkocanin (komandanti i kryengritjes së armatosur në Borovo Selo dhe zbatuesi i idesë së Serbisë së Madhe në tokën kroate) në Borovo Selo.

“Po sjellim një ligj të ri pas 27 vitesh, pasi Ligji ekzistues për Varrezat nuk i përshtatet më kohës së sotme,” kishte thënë atëherë ministri i Planifikimit Fizik, Ndërtimit dhe Pronësisë Shtetërore, Branko Bacic, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar.

Ai shtoi se një nga arsyet për ndryshimin e ligjit është fakti që pas okupimit të disa pjesëve të Kroacisë gjatë Luftës së Atdheut, në disa varreza mbetën monumente dhe pllaka me mbishkrime të papërshtatshme që bien ndesh me rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit.

Sipas projektligjit, të gjitha monumentet që fyjnë ndjenjat fetare, morale ose kombëtare, dhe që lavdërojnë ushtrinë agresore gjatë Luftës së Atdheut, duhet të hiqen brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Ligji parasheh që të shqyrtohen vetëm monumentet e ngritura pas datës 30 maj 1990, për të shmangur revizionizmin historik dhe për të ruajtur paqen sociale.

Çdo individ do të ketë të drejtë të raportojë varret apo monumentet kontestuese, ndërsa komisione në nivelin e qarkut do të krijohen për të vlerësuar përputhshmërinë e tyre me ligjin.

Nëse përdoruesi i varrit nuk e heq monumentin në afatin e paraparë, atëherë heqja do të realizohet nga palë të treta. Pronarët e varreve që nuk e përmbushin këtë detyrim do të gjobiten me shuma që variojnë nga 1,000 deri në 5,000 euro.

Për herë të parë, me këtë ligj rregullohet edhe statusi i varrezave përkujtimore të mbrojtësve të rënë në luftë, të cilat do të jenë nën administrimin e Ministrisë së Veteranëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zyrtare policore është vetëplagosur mbrëmë, pas orës 23:00 në…