Qeveria Kurti do të jetë vazhdimësi e qeverive të tjera

24 maj 2021 | 09:42

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë Kosovës (AAK), Smajl Latifi, ka thënë se qeveria Kurti do ta ketë shumë vështirë t’i realizojë zotimet e programit qeverisës. Ai ka vlerësuar se kjo qeveri nuk do të dallojë shumë nga qeveritë e kaluara.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Latifi ka thënë se në programin qeverisës të prezantuar në Kuvendin e Kosovës nuk ka asgjë konkrete. “Është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për ta realizuar qeveria programin e saj dhe zotimet që ka paraparë. Mendoj se kjo qeveri do të jetë një vazhdimësi e qeverive të kaluara. Ne kemi dëshirë që t’i realizojmë të gjitha premtime dhe zotimet që i ka dhënë para opinionit. Por, duke parë programin e qeverisë të cilin e kam lexuar, nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Latifi.

Ai ka deklaruar se në dy muajt e parë të kësaj qeverie është parë se nuk do të mund t’i realizojë pritjet e qytetarëve. “Në bazë të asaj që është parë, nuk kemi shumë veprime të veçanta. Pra, nuk ka hapa, vendime të rëndësishme që do të kishin ndonjë impakt në qeverisjen lokale dhe në jetën e qytetarëve. Natyrisht se qytetarët kanë votuar për këtë qeveri, sepse kanë pritur shumë më tepër. Në këtë mënyrë është pritur që edhe në ditët e para kjo qeveri të ndërmarrë veprime që do të kishin impakt në rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Por, të shohim”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë Latifi ka folur edhe për dialogun me Serbinë. Sipas tij, Kurti do ta ketë vështirë t’i mbajë në këtë proces parimet që i ka proklamuar sa ishte në opozitë. “Z. Kurti shumë herë ka përsëritur qëndrimin se fillimisht do të ketë negociata me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, tek pastaj do të ketë negociata me Serbinë. Pastaj, ai ka thënë se dialogu do të jetë me parime. Në mënyrë të rregullt ai e ka përsëritur se Kosova duhet të vendosë kushte për dialogun me Serbinë dhe jo të shkohet në këtë proces vetëm pse dikush e fton Kosovën. Se a do të mund ta mbajë këtë qasje z. Kurti, mbetet të shihet”, është shprehur Latifi.

“Epoka e re”: Z. Latifi, kryeministri Kurti ka ftuar në takim liderët e partive opozitare për të diskutuar për disa çështje nacionale, në mesin e tyre edhe për dialogun me Serbinë. Lideri i AAK-së e ka pranuar ftesën. Si e keni parë këtë përpjekje të kryeministrit?
Latifi: Dialogu me Serbinë është çështje e karakterit kombëtar, pra është temë shumë e ndejshme dhe e rëndësishme. Në këtë funksion edhe kryetari i AAK-së, z. Haradinaj, ka pranuar se do të shkojë në këtë takim. Pastaj të shohim se çfarë bisedash do të zhvillohen në takimin e paralajmëruar.

“Epoka e re”: Kurti po kërkon një konsensus nacional për dialogun me Serbinë, ndonëse kur ishte në opozitë refuzonte të bëhej pjesë e këtij konsensusi. E shihni si të mundshëm arritjen e këtij uniteti?
Latifi: Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri është përgjegjës për çështjen e dialogu me Serbinë dhe arritjen eventuale të marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme Kosovë-Serbi. Meqenëse kjo është një temë e ndjeshme dhe serioze, atëherë është mirë që kryeministri fillimisht ta ketë një platformë për dialogun me Serbinë në të cilën do të mund të shihen se cilat janë parimet dhe temat. Pra, të shihet se cila është shtylla kurrizore dhe skeleti për t’iu qasur kësaj problematike serioze siç është dialogu me Serbinë i cili do të ndërmjetësohet nga BE-ja.
Ju e dini se AAK-ja ka konstatuar se dialogu me Serbinë është i nevojshëm dhe i rëndësishëm dhe ky proces duhet të zhvillohet vetëm në drejtim të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç po shihet, kjo çështje është prioritet i qeverisë dhe i bashkësisë ndërkombëtare. Në frymën e kësaj, ne duhet të shohim se cila është agjenda e qeverisë, cilat janë temat dhe cila është qasja e qeverisë ndaj këtij dialogu. Këtë qasje për neve dhe publikun duhet ta tregojë vetë kryeministri Kurti.

“Epoka e re”: Kryeministri Kurti vazhdimisht ka kritikuar rrjedhën e deritanishme të dialogut me Serbinë. Ai është zotuar se do të bëjë një dialog ndryshe. Sa besoni se kjo qeveri do të bëjë më shumë se qeveritë e tjera në këtë proces?
Latifi: Z. Kurti shumë herë ka përsëritur qëndrimin se fillimisht do të ketë negociata me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, pastaj do të ketë negociata me Serbinë. Pastaj, ai ka thënë se dialogu do të jetë me parime. Në mënyrë të rregullt ai e ka përsëritur se Kosova duhet të vendosë kushte për dialogun me Serbinë dhe jo të shkohet në këtë proces vetëm pse e fton dikush Kosovën. Se a do të mund ta mbajë këtë qasje z. Kurti mbetet të shihet. Dëshira jonë është që ta mbajë këtë qasje. Është shumë e rëndësishme që Kosova ta përmbyllë këtë proces me një marrëveshje përmes së cilës Serbia e njeh Kosovën pa ia cenuar në asnjë mënyrë sovranitetin dhe integritetin territorial. Është shumë e rëndësishme që në këtë proces të jenë pjesë e tavolinës së bisedimeve ShBA-të. Ne nuk jemi që të bëhet një marrëveshje shpejt e shpejt, e cila mund të jetë e dëmshme.

 “Epoka e re”: Janë bërë rreth dy muaj që qeveria Kurti ka marrë detyrën. Cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të kësaj qeverie?
Latifi: Pavarësisht se ndoshta është herët të vlerësohet puna e kësaj qeverie, por në bazë të asaj që është parë, nuk kemi shumë veprime të veçanta. Pra, nuk ka hapa apo vendime të rëndësishme që do të kishin ndonjë impakt në qeverisjen lokale dhe në jetën e qytetarëve. Natyrisht se qytetarët kanë votuar për këtë qeveri, sepse kanë pritur shumë më tepër. Në këtë mënyrë është pritur që edhe në ditët e para kjo qeveri të ndërmarrë veprime që do të kishin impakt në rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Por, të shohim.

 “Epoka e re”: Si kryetar komune keni ndonjë vërejtje për punën e deritanishme të qeverisë?
Latifi: Natyrisht se si komunë kemi vërejtjet tona. Ne nuk kemi shumë komunikim me ministritë e linjës. Pastaj, kjo qeveri ka anuluar memorandumet që janë nënshkruar për këtë vit buxhetor. Dihet se ato memorandume bazën e kanë në Ligjin për Buxhet, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës para se të shpërndahet legjislatura e kaluar. Anulimi në mënyrë të njëanshme i këtyre memorandumeve natyrisht se i vënë në vështiruesi serioze komunat e Kosovës, sepse ato memorandume kanë paraparë financimin e projekteve konkrete me ministritë e linjave të caktuara.

“Epoka e re”: Qeveria e ka paraqitur programin në Kuvend. Pritni që të realizohen ato zotime
Latifi: Është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, ta realizojë qeveria programin e saj dhe zotimet që ka paraparë. Mendoj se kjo qeveri do të jetë një vazhdimësi e qeverive të kaluara. Ne kemi dëshirë që t’i realizojmë të gjitha premtimet dhe zotimet që i ka dhënë para opinionit. Por, duke parë programit e qeverisë të cilin e kam lexuar, nuk ka asgjë konkrete. Shembull te pjesa e programit për bujqësi dhe zhvillim rural nuk ka afate konkrete se brenda çfarë kohe mund të realizohen ato zotime. Pra, nuk përmenden as metodat apo rrugët se si do të realizohen ato zotime që janë të shkruara.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
500 punëtorët shëndetësorë kosovarë që kanë marrë dozën e parë…