Qeveria mbulon shpenzimet për Kartonin e Gjelbër deri në fundvit, remitancat shënojnë rritje 7 për qind

29 korrik 2020 | 18:59

Sot, u bë nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit për mbulimin e primit të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët dhe të huajt që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër mbulimin e plotë të primit të sigurimit kufitar për palët që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë gjatë vitit 2020.

Për të gjitha veturat dhe motoçikletat që hyjnë në Republikën e Kosovës dhe janë subjekt i kësaj Marrëveshjeje, Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon njëqind për qind (100%) të vlerës së primit të policës kufitare.

No description available.

Subjekt i kësaj marrëveshjeje janë të gjitha veturat e bashkatdhetarëve dhe të huajve që janë nën regjimin e Kartonit të Gjelbër dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, përjashtuar veturat e regjistruara në Republikën e Malit të Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Serbisë.

Polica e sigurimit mund të shkarkohet në platformën elektronike (online) të autorizuar nga BKS, ose në formë fizike në zyret e BKS-së në pesë (5) pikat kufitare: Vërmicë, Hani i Elezit, Dheu i Bardhë, Merdarë dhe Kullë. Kjo marrëveshje fillon të zbatohet nga data 01.08.2020.

Pas nënshkrimit, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se me këtë veprim Qeveria e Kosovës ka zgjidhur një çështje të kamotshme përmes së cilës do të lehtësohet ardhja e bashkatdhetarëve tanë në Republikën e Kosovës duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes në pikëkalimet kufitare të vendit tonë.

Po ashtu Bajrami, ka thënë primi i sigurimit që e kanë paguar në kufi, ka qenë maltretim me t ë cilin janë përballur në kufi bashkatdhetarët. “Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të ndahen mjete për zbatimin e këtij vendimi. Po ashtu, do të formohet një komision ndërministror që do të merret ekskluzivisht me këtë çështje në mënyrë që bashkatdhetarëve tonë t’ua lehtësojmë procedurat deri në anëtarësimin në  Kartonin e Gjelbër””, ka thënë ajo.

Edhe guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se është një lajm i mirë se BQK sot ka ulë edhe çmimet e primit.

Mehmeti tutje ka deklaruar se Qeveria merr për obligim që të mbulojë 100 për qind policën e sigurimit për bashkatdhetarët.

Po ashtu ai ka folur edhe për remitencat që kanë ardhur në Kosovë nga jashtë dhe ka thënë se ka rritje rreth 7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.  “Sot kemi shifrën për gjashtëmujorin e parë të këtij vitit dhe kemi rritje për 7 Ë karshi periudhës paraprake, pra  tani janë 433 milionë euro që kanë ardhur nga diaspora”, ka thënë Mehmeti, derisa e ka cilësuar si kontribut të jashtëzakonshëm.

A.MAVRAJ/ Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igli Tare ka nisur merkaton pa u mbyllur ende ky…