Qeveria miraton Projektligjin për investime të qëndrueshme
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për investime të qëndrueshme, përmes të cilit synohet të vendoset kornizë ligjore për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky projektligj vendos bazën për të përcaktuar dhe përkrahur industrinë vendore dhe punësimin e qëndrueshëm.
“Qëllimi i këtij projektligji është vendosja e një kornize ligjore mbi parimet për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, projektligji vendos bazën për të përcaktuar dhe për të përkrahur industrinë vendore dhe punësimin e qëndrueshëm , gjithashtu parasheh fuqizimin e rinisë dhe grave si dhe bashkëpunimin e thelluar me mërgatën. Projektligji për investime të qëndrueshme mundëson zbatimin e një politike të qartë dhe të njehsuar për tërheqjen dhe përkrahjen e investimeve duke sanuar të metat e thella të dy ligjeve të tanishme për investime”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Projektligji për investime të qëndrueshme do t’i zëvendësojë dy ligjet e tanishme, atë për investime strategjike dhe Ligjin për investimet e huaja.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për parqet industriale dhe teknologjike.



