Qeveria ndan 1.1 milion euro për “Trepçën”

13 nëntor 2020 | 13:53

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Bordit të Përkohshëm të “Trepçës”, mbajti një konferencë për media të premten, në të cilën bëri me dije ndarjen e 1.1 milion eurove për ndërmarrjen “Trepça”, raporton “Epoka e re”.

“Ju kemi ftuar në këtë konferencë, për shkak të rëndësisë së informatës, të cilën dëshirojmë ta dërgojmë te qytetarët, minatorët e ‘Trepçës’ në veçanti. Ministri Blerim Kuçi është marrë disa ditë me këtë çështje, me Bordin e ‘Trepçës’, për të tejkaluar situatën, në të cilën jemi. Pas shumë diskutimeve, edhe me Ministrinë e Financave, sot e kemi ftuar edhe Bordin e përkohshëm të ‘Trepçës’ për t’u darkorduar për hapat që duhet të ndërmerren në ditët e ardhshme, për të tejkaluar situatën në ‘Trepçë’. Situata në kompani është vërtet shumë e vështirë, por është e vështirë, pjesërisht për shkak të gjendjes nëpër të cilën po kalojmë, të pandemisë në nivel global dhe për shkak të pamundësisë që ‘Trepça’ t’i shet produktet e saj në tregje botërore për shkak të rënies së çmimeve në berzë. Por, pjesërisht, duhet pranuar faktin që është edhe për shkak të menaxhmentit joadekuat, joefikas në menaxhimin e kësaj kompanie”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se këtë kompani vit pas viti e subvencionojnë sa i përket investimeve kapitale në një shumë të konsiderueshme që shkon rreth 7 milionë euro, por pavarësisht kësaj, Hoti ka thënë se në këtë situatë, në të cilën gjendet tash “Trepça” është dashur të bëjnë një zgjidhje të përkohshme bashkë me Bordin e “Trepçës” për të tejkaluar situatën dhe për t’i mundësuar kësaj kompanie operimin më tutje.

“Qeveria do të ndajë 1.1 milion euro për ndërmarrjen ‘Trepça’ për të tejkaluar situatën nëpër të cilën po kalon. Bordi do të ofrojë garancitë e veta përmes planit të biznesit që duhet të dorëzohet shpejt në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit për mënyrën e menaxhimit të kompanisë në të ardhmen dhe në këtë plan biznesi do të jenë veprimet konkrete që do të ndërmerren nga bordi i kompanisë karshi menaxhmentit të kompanisë për t’u siguruar që kompania nuk vjen prapë në këtë situatë”, ka thënë kryeministri Hoti, duke shtuar se kjo ndihmë që qeveria jep me taksat e qytetarëve për minatorët dhe për ndërmarrjen “Trepça”, do të mundësojë që ta tejkalojë këtë situatë të tillë.

“Në plot ndërmarrje të tjera kemi probleme pak a shumë të ngjashme, po për shkak të specifikave që ka ndërmarrja ‘Trepça’, me insistimin e ministrit e kemi trajtuar pak më ndryshe këtë çështje dhe bashkë me ministrin e Financave besoj që është gjetur zgjidhja më e mirë e mundshme në rrethanat në të cilat jemi”, ka deklaruar Hoti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Argjentinasi i PSG-së, Angel Di Maria, mund të transferohet në…