
Qeveria ndan 250 mijë euro për koalicionin global kundër ISIS-it
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë 250 mijë euro për Koalicionin Global Kundër Terrorizmit.
Haradinaj në një konferencë për medie, ka thënë se Kosova është e gatshme ta përkrahë këtë koalicion edhe aspektin ushtarak, policor dhe të inteligjencës.
“Kosova është anëtare e Koalicionit global kundër terrorizmit që është SHBA-ja në krye të tij. Kosova në kuadër të këtij obligimi të marrë kryen detyra dhe obligime që janë të përkrahjes në shumë drejtime”.
“Sot kryejmë edhe obligim financiar e kemi shtuar shumën, vitin e kaluar ka qenë 100 mijë euro, Kosova kësaj here ka vendos me i nda për Koalicionin Kundër Terrorizmit 250 mijë euro”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme ta përkrah këtë koalicion edhe në forma tjera.
“Nuk është vetëm aspekti financiar është ushtarak, policor, i inteligjencës. Është logjistik sepse ju e dini që ne i kemi sjell nënat prej vendluftimeve me fëmijë ka edhe kosto të tjera të angazhimit tonë, pra i bëjmë me respekt”.
“Edhe për me e thjeshtësuar pak a shumë është Amerika dhe NATO që na kanë dal në ndihmë në kohëra të shtira, dhe ne besojmë shumë që këtë ndihmë e kemi me nevojë edhe popujt tjerë që me mbretëruar paqen. Si Kosovë me të vërtetë me respekt e kryejmë obligimin tonë si vend anëtar i këtij koalicioni. I falënderoj të gjithë ministrat që ishin pjesëmarrës”, ka thënë Haradinaj.