
Qeveria ndan 4 milionë euro për policat e sigurimit të mërgimtarëve dhe mbi 625 mijë euro për arsimin në Luginë
Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës e mbajtur të premten ka marrë vendim që të ndajë 4 milionë euro për mbulim të kostos së policave të sigurimit për mërgimtarët që vijnë në Kosovë për pushime.
Subvencionimi i policave do të nisë nga data 1 korrik.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se të hollat për këtë vendim do të merren nga nënprogrami i pakos për ringjallje ekonomike.
Gjatë mbledhjes, ekzekutivi gjithashtu ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e 625 mijë e 400 eurove për mbështetjen e arsimit dhe lobimit institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka reaguar për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 626,400 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar, në mbështetje të arsimit dhe avokimit institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“756 studentë shqiptarë nga 32 vendbanime janë mbështetur me bursa – 407 prej tyre studiojnë në Prishtinë, 110 në Tiranë, e dhjetëra të tjerë në Shkup, Tetovë, Turqi dhe vende të BE-së. Ata ndjekin 56 drejtime studimi në 17 qytete të ndryshme, por bartin të njëjtën aspiratë: dije për të qëndruar, arsim për të mbijetuar, shkollim për të mos u përkulur”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Po ashtu, Mustafi ka thënë se 97 fëmijë pa prindër apo me vetëm një prind janë përfshirë në mbështetje direkte, sepse kujdesi institucional fillon aty ku ka më shumë nevojë – te më të pambrojturit.
“Mjete për lobim dhe avokim në nivel ndërkombëtar – që zëri i shqiptarëve të Luginës të dëgjohet në tavolina vendimmarrëse në Evropë dhe më tej. Ky vendim nuk është vetëm një dokument financiar, por një akt politik dhe kombëtar. Është investim në dinjitet, dije dhe barazi. Është angazhim i një shteti që e ndjen përgjegjësinë për bashkëkombësit përtej kufijve administrativë. Me mirënjohje të thellë për Kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe të gjithë kabinetin qeveritar që e shohin Luginën jo si periferi, por si pjesë të pandashme të hartës së përgjegjësisë sonë kombëtare”, ka thënë Mustafi.