Qeveria në detyrë ndan 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës
Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar të enjten një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime që lidhen me çështje buxhetore, shëndetësi dhe emërime institucionale.
Sipas njoftimit të ekzekutivit, është miratuar Raporti Tremujor i Buxhetit për vitin 2026, si dhe kërkesa e Ministrisë së Financave për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për bartjen e shpenzimeve buxhetore nga ministritë amë në ministritë e reja të krijuara.
Po ashtu, Qeveria ka ndarë 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës.
“Ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 45,000 euro për Forumin Ekonomik të Vjenës, me qëllim të promovimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe vendimi për emërimin e Bordit Drejtues të Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Gjithashtu, është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 52 specializantëve lehona.
“Është miratuar pagesa e pesëdhjetë e dy specializantëve lehona në vlerë prej 475,051.50 euro, për periudhën nga 1 nëntori 2025 deri më 31 dhjetor 2026”, thuhet në njoftim.
Qeveria ka emëruar edhe Grupin Koordinues për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.
Ndërkaq, ekzekutivi ka vazhduar për dy vjet mandatin e Sekretarisë dhe të Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë.



