Qeveria në pikëpyetje: Afati afrohet, shenja nuk ka

20 tetor 2025 | 20:09

Gjysma e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së re të Kosovës ka kaluar, ndërsa në skenën politike të vendit mbizotëron paqartësia.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deri më tani ka dhënë vetëm një zotim publik – se “do të nisim negociatat” – por pa sinjale konkrete për ndonjë marrëveshje apo shumicë të mundshme.

Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, gjendet nën presion të madh për të siguruar mbështetje në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme.

Opsionet janë të kufizuara: Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pavarësisht përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, nuk u përgjigj mbi ecurinë e negociatave.

Disa deputetë të partisë konfirmuan se “nuk janë në dijeni për ndonjë bisedë me parti të tjera parlamentare”, duke shtuar se “mbetet për t’u parë”.

Gjithashtu, zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se deri tani “nuk ka pasur as takime e as ftesa për të diskutuar një koalicion të mundshëm”.

“Vetëvendosje po vepron përmes individëve, jo me ne si subjekt politik”, tha njëri prej tyre.

“Nuk mund të supozoj nëse do të ketë diçka konkrete në të ardhmen”, shtoi ai.

Deklaratat pasuan raportimet se kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kishte nënshkruar një marrëveshje për koalicion me Vetëvendosjen për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 9 nëntor, kur në balotazh garojnë PDK-ja dhe LVV-ja.

LDK-ja qendrore e dënoi këtë veprim, duke e cilësuar si “individual, të papranueshëm dhe në kundërshtim me procedurat statutore” të partisë.

Ndërsa, dega lokale e LDK-së në Vushtrri tha se “qyteti ka nevojë për ndryshim”.

“Vendimet e mëdha nuk janë asnjëherë të lehta, por pavarësisht kostove individuale, për ne një gjë është e qartë – interesi i qytetarëve dhe i Vushtrrisë është mbi gjithçka. Marrëveshja jonë nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë”, thuhet në postimin e saj në Facebook.

Tahiri nuk iu përgjigj thirrjeve të REL-it për komente.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, e sheh këtë marrëveshje si një lëvizje të Kurtit për ta fragmentuar LDK-në dhe për ta paraqitur si parti të paaftë në vendimmarrje – gjë të cilën mund ta shfrytëzojë pastaj për avantazh elektoral.

“Dihet hendeku mes LVV-së dhe LDK-së. Duhet shumë punë, angazhim dhe garanci që të arrihet një koalicion në secilën komunë. Ai nuk mund të bëhet lehtë e shpejt, pa koordinim me qendrën”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se, për momentin, nuk ka asnjë shenjë që Kurti po punon për të siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.

Qasja e tij shpesh e shpërfillshme ndaj partive të tjera ka dëmtuar marrëdhëniet e mundshme për bashkëpunim, sipas Muhaxhirit.

“Me kohën që ka mbetur, më realiste duket mundësia e zgjedhjeve të reja sesa arritja e një marrëveshjeje koalicioni”, thekson ai.

Afati kushtetues prej 15 ditësh për prezantimin e Qeverisë së re skadon më 26 tetor.

Pastaj, presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

Osmani tha të hënën se ka ende kohë për të arritur këtë qëllim, duke kritikuar njëkohësisht Listën Serbe për, siç theksoi, krijimin e pengesave.

Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, dorëzoi javën e kaluar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.

Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit – një proces që zgjati pothuajse gjashtë muaj.

Ekspertët paralajmërojnë se, në varësi të vendimit të Kushtetueses, procesi mund të rifillojë nga zeroja dhe Kuvendi të mos konsiderohet i konstituuar.

I pyetur nga gazetarët për ankesën e Listës Serbe, kryeparlamentari Dimal Basha u përgjigj shkurt: “Kanë të drejtë të ankohen”./Radio Evropa e Lirë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bullgaria do të hap një korridor, që lejon avionin presidencial…