
Qeveria organizoi pritje shtetërore për 26-vjetorin e çlirimit të vendit
Qeveria e Kosovës organizoi sot pritje shtetërore në shënim të 26-vjetorit të çlirimit të vendit.
Në këtë pritje morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritarë, deputetë të kuvendit, kryetarë të komunave, drejtues e zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve mike të Kosovës, anëtarë të familjes Jashari e përfaqësues politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se me respekt të thellë e përulësi, nderojnë sakrificën e dëshmorëve, martirëve, invalidëve e veteranëve dhe të gjitha grave e burrave që kontribuuan për çlirimin e Kosovës.
“Në frymën e sakrificës së tyre, sot e çdo ditë punojmë me përkushtim për drejtësi e barazi, për progres me solidaritet”, ka thënë Kurti.
“Në këtë ditë, ne e përsërisim me vendosmëri zotimin tonë për paqe të qëndrueshme dhe progres të vazhdueshëm. Paqe kjo që mbështetet në zhvillim të barabartë për çdo qytetar, pavarësisht etnisë a kombësisë, fesë apo gjinisë”.
“Kosova jonë, Republika jonë, është vend i guximit, i shpresës dhe i perspektivës evropiane. Andaj ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë, shumë dhe mirë, që liria jonë të jetë e plotë dhe që edhe brezat e ardhshëm të mos përjetojnë atë që jetuam ne”, ka pohuar Kurti.