Qeveria të japë shpjegime të hollësishme në Kuvend për reciprocitetin me Serbinë

10 shkurt 2020 | 15:06

Ish-ministrja për Dialogun Kosovë – Serbi, Edita Tahiri, ka bërë me dije se Qeveria e re duhet të japë shpjegime të hollësishme për reciprocitetin me Serbinë, para se të zëvendësohet me taksën 100 për qind. Ajo ka deklaruar se shpjegimet deri në detaje të zbatimit të këtij parimi duhet të bëhen në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se Kosovës i duhet unitet për këtë çështje. “Tani po dëgjoj tezën e reciprocitetit si zëvendësim për taksën. T’ju them të drejtën, nuk kam dëgjuar një shpjegim nga ky koalicion qeverisës se çfarë nënkupton reciprociteti. Qeveria duhet të japë shpjegime të hollësishme në Kuvend para se ta marrë vendimin për ta zëvendësuar taksën kundër Serbisë me reciprocitet”, ka thënë Tahiri. Sipas saj, nuk janë të mjaftueshme vetëm deklarimet e kryeministrit se taksa prej 100 përqindësh do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë. “Kosova pati mjaft polarizime, tani është koha që gjërat të bëhen me një gjuhë të përbashkët. Nuk mjaftojnë deklaratat e fundit (nga kryeministri), ato janë deklarata politike. Për mua që të jap përgjigje për këtë çështje me duhet të dëgjojë një elaborim të hollësishëm çfarë nënkupton dhe si zbatohet reciprociteti. Reciprociteti mes dy shteteve të pavarura përcaktohet me konventa ndërkombëtare, këtu kemi situatën e mosnjohjes mes dy shteteve, po ashtu kemi marrëveshje të arritura në Bruksel”, ka thënë ajo.

Tahiri ka vlerësuar se vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi për fazën finale është i domosdoshëm. “Së pari duhet të them se dialogu me një ndërmjetësim ndërkombëtar është i domosdoshëm, edhe pse ne nuk e kemi dashur një proces për arsye të luftës dhe gjenocidit që bëri Serbia, megjithatë pas luftërave vjen paqja dhe marrëdhëniet paqësore dhe mbyllet kapitulli i luftërave dhe armiqësive. Po shpresoj se në fazën që po hyjmë do të jetë faza finale e dialogut, sepse mjaft janë bërë procese me Serbinë”, është shprehur ajo.

Tahiri ka folur edhe për rolin e opozitës së re. Ajo ka thënë se shpreson që kjo opozitë të jetë konstruktive dhe jo sikurse opozita e kaluar. “Uroj që opozita e re të mos bëjë siç bëri opozita e vjetër, sepse mjaft u dëmtua imazhi i Kosovës me pamje të dhunshme në Kuvend e në rrugë”, është shprehur Tahiri.

 

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, e keni dëgjuar idenë e fundit të kryeministrit rreth procesit të dialogut Kosovë – Serbi, zëvendësimin e taksës me reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar?
Tahiri: Taksa 100 për qind ndaj Serbisë ka mbyllur rrugën e disa lojërave të rrezikshme për ndërrim kufijsh. Tani po dëgjoj tezën e reciprocitetit si zëvendësim për taksën. T’ju them të drejtën nuk kam dëgjuar një shpjegim nga ky koalicion qeverisës se çfarë nënkupton reciprociteti. Qeveria duhet të japë shpjegime të hollësishme në Kuvend para se ta marrë vendimin për ta zëvendësuar taksën kundër Serbisë me reciprocitet. Kosova pati mjaft polarizime, tani është koha që gjërat të bëhen me një gjuhë të përbashkët. Nuk mjaftojnë deklaratat e fundit (nga kryeministri). Ato janë deklarata politike. Për mua që të jap përgjigje për këtë çështje më duhet të dëgjoj një elaborim të hollësishëm çfarë nënkupton dhe si zbatohet reciprociteti. Reciprociteti mes dy shteteve të pavarura përcaktohet me konventa ndërkombëtare, këtu kemi situatën e mosnjohjes mes dy shteteve, po ashtu kemi marrëveshje të arritura në Bruksel që në kuadër të këtyre kemi edhe kapitullin 35, që e kemi arritur në Bruksel, se rruga e Serbisë për në BE kalon nga Kosova, sepse ky kapitull kushtëzon Serbinë. 33 marrëveshjet janë mbi bazën e reciprocitetit të plotë, pra janë të bazuara në ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, këtë e kam thënë gjithmonë dhe po e them edhe tani. Dhe po ju them se një pjesë e rëndësishme e këtyre marrëveshjeve janë zbatuar.

“Epoka e re”: Si e shihni rolin e opozitës së re në raport me dialogun?
Tahiri: Uroj që opozita e re të mos bëjë siç bëri opozita e vjetër, sepse mjaft u dëmtua imazhi i Kosovës me pamje të dhunshme në Kuvend e në rrugë.

“Epoka e re”: Po tash, si duhet të vazhdohet me këtë proces?
Tahiri: Së pari duhet të them se dialogu me një ndërmjetësim ndërkombëtar është i domosdoshëm, edhe pse ne nuk e kemi dashur një proces për arsye të luftës dhe gjenocidit që bëri Serbia. Megjithatë, pas luftërave vjen paqja dhe marrëdhëniet paqësore dhe mbyllet kapitulli i luftërave dhe armiqësive. Po shpresoj se në fazën që po hyjmë do të jetë faza finale e dialogut, sepse mjaft janë bërë procese me Serbinë. Ishte Rambujeja, Vjena, pastaj shtatë vjet dialogu që pata rastin unë ta udhëheq. Tani është koha që të mbyllet ky proces.

“Epoka e re”: Faza finale e dialogu duhet të bazohet në këto marrëveshje që janë arritur apo si?
Tahiri: Koncepti i dialogut të Brukselit ka qenë vendosja e marrëdhënieve fqinjësore sipas parimeve euroatlantike,fushë për fushë. Nëse tani shkojmë në bisedimet e fazës finale, atëherë kjo fazë duhet të definojë që Kosova dhe Serbia të njihen reciprokisht në kufijtë aktualë.

“Epoka e re”: Mirëpo Serbia po lë të nënkuptojë se nuk mund ta njohë Kosovën pa përfituar diçka, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë bërë me dije se për arritjen e marrëveshjes finale duhet një kompromis mes dy palëve?
Tahiri: Ky diskursi se agresori dhe viktima mund të bëjnë marrëveshje me një drejtësi të barabartë është qasja më e gabueshme e cila nuk sjell paqe, por sjell situata të rënda. Agresori duhet ta marrë përgjegjësinë dhe të ndëshkohet, kjo ka ndodhur deri më tani gjatë historisë. Pra, Serbisë duhet t’i bëhet me dije në bisedime se ajo është pala që ka bërë agresion në Kosovë dhe ne jemi viktima. Fatkeqësisht, për shkaqe gjeostrategjike, bashkësia ndërkombëtare është sjell më butë ndaj Serbisë, duke u munduar që me përkëdhelje t’ia shkëpusin asaj lidhjet me Rusinë. Mirëpo kur të vijë afër anëtarësimit në BE, Serbia duhet ta zgjedhë ose Brukselin ose Moskën.

“Epoka e re”: Së fundi, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të ShBA-së për dialogun Beograd – Prishtinë, Richard Grenell, kemi pasur një marrëveshje për hapjen e një linje ajrore Prishtinë – Beograd dhe një përpjekje rreth vendosjes së linjës hekurudhore midis dy vendeve. Cili është mendimi juaj për këto çështje?
Tahiri: Nga këndi im i kam parë si masa të rikthimit të mirëbesimit për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. Meqenëse nuk i kam parë dokumentet, përveç asaj që është dhënë në medie, po rezervohem të flas se sa është mbrojtur sovraniteti dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm ta udhëheqë dialogun. Si e shihni z. Kurti në këtë proces?
Tahiri: Atë e shoh në një situatë shumë paradoksale. Si një ish-lider i opozitës që ka qenë i përbetuar kundër bisedimeve me Serbinë, në ekspozenë e tij në Kuvend disi me eufori fluturoi duke thënë se do t’i udhëheqë bisedimet. Tani është koha e tij dhe e koalicionit që ai udhëheq që të përgatiten mirë për këtë proces. Të përgatisin një delegacion gjithëpërfshirës. Është me rëndësi që brenda këtij koalicioni të jenë edhe opozita dhe shoqëria civile. Kosovës i duhet një bazë e gjerë e legjitimitetit për të marrë vendime të rëndësishme për vendin në raport me Serbinë. Gjithashtu, ky koalicion e ka për obligim ta përgatisë mirë një platformë shtetërore për këtë fazë, në të cilën duhet të vendosen vijat e kuqe. Kjo qeveri e ka për obligim që të jetë e qartë se nuk do të ketë bisedime për territore, për kufij, për rregullin e brendshëm të Kosovës. Pra, ata duhet të jenë në mbrojtje të Kushtetutës se Kosovës.

“Epoka e re”: A mendoni se është larguar përfundimisht nga tavolina ideja e çështjes së kufijve?
Tahiri: Së pari, mendoj se Kosova, Shqipëria dhe kombi shqiptar e kanë dhënë provimin për këtë çështje. E kundërshtuan fuqishëm këtë çështje, madje edhe Thaçi e Rama që e përkrahën këtë ide e panë këtë punë. Ky është një mesazh edhe për këta që kanë ardhur në pushtet tani. Së dyti, meqenëse gjeopolitika është shumë dinamike, sidomos nga vende joperëndimore si Rusia, Kina dhe Turqia, unë them se ne duhet të jemi syçelë dhe të përgatitur për t’ua prerë rrugën këtyre ideve.

 

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me nënkryetaren…