Qeveria themelon grupin e ekspertëve për vettingun në drejtësi

28 shkurt 2020 | 14:17

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të themelohet grupi i ekspertëve të pavarur për draftimin e skenarëve dhe elementeve të reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka arsyetuar para kabinetit qeveritar propozimin për themelimin e grupit të ekspertëve të pavarur për reformën e vettingut në sistemin e drejtësisë ku ka treguar edhe detyrat e tyre.

“Si ministre e Drejtësisë, në përputhje me programin qeverisës dhe në kuadër të reformave në drejtësi, më lejoni që të propozoj themelimin e grupit të ekspertëve të pavarur për të dizajnuar parimet udhëheqëse, skenarët dhe elementet e Reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë”.

“Grupi i ekspertëve do të ketë mandat për çështjet si: të ofrojë studim kuptimplotë, të thelluar dhe të argumentuar, mbi mundësitë e rifillimit të një procesi të vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, të ofrojë një pasqyrë të qartë të skenarëve – nga më i thelluari deri tek më sipërfaqësori – mbi të cilët mund të bazohet reforma e vettingut të sistemit të drejtësisë në dritën e së Drejtës Kushtetuese dhe sistemit ligjor të Kosovës, parimeve ndërkombëtare të pavarësisë, paanshmërisë, integritetit dhe profesionalizimit të funksionit gjyqësor dhe prokurorial të së drejtës për të drejtat e njeriut, kryesisht të bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”.

“Të përcaktojë elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë sipas secilit skenar të identifikuar dhe të identifikojë rreziqet, mundësitë, përparësitë dhe dobësitë e secilit skenar të studiuar”.

“Të përcaktojë metodën e përfshirjes konstituive të elementit ndërkombëtar në procesin e vettingut dhe mënyrën se si duhet ushtruar përpjekja për të ndërtuar konsensusin parlamentar për një ndryshim të tillë madhor, si dhe të identifikojë raste të suksesshme të krahasueshme dhe t’i pasqyrojë elementet e dobishme që mund të përfshihen në Reformën e vettingut në Kosovë”.

Haxhiu ka thënë se grupi i ekspertëve deri më 30 maj duhet t’i paraqesë Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës raportin me skenarët e studiuar për reformën e vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Grupi i ekspertëve deri më 30 maj do t’i paraqesë Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë një raport me skenarë për reformën e vettingut në sistemin e drejtësisë, si dhe opsionet që duhet ndjekur për realizimin e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë të mbështetur në objektivitet, integritet profesional dhe në parimet që e bëjnë reformën e mbrojtur nga interferimet e kujtdo”, ka thënë Haxhiu në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Kryesues i këtij grupi të ekspertëve të pavarur do të jetë Qerim Qerimi, derisa anëtarë të tjerë do të jenë Avni Puka, Fisnik Korenica, Visar Morina, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Ariana Qosaj-Mustafa, Arton Demhasaj, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi.

Anëtarë do të jenë edhe një përfaqësues i Këshillit Prokurorial dhe një i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari në dorëheqje i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),…