Qeveria t’i ketë prioritet zonat kufitare

02 korrik 14:40

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka bërë me dije se Qeveria duhet ta mbështesë më shumë këtë komunë meqenëse i përket zonës kufitare.

Ai ka thënë se deri më tani kjo komunë nga asnjë qeveri nuk është mbështetur sa duhet. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Suma ka thënë se Qeveria duhet t’i ketë prioritet zonat kufitare.

“Realisht, meqenëse jemi zonë kufitare, Qeveria duhet t’i japë prioritet kësaj komune më shumë. Për shembull, duhet ta forcojë ndriçimin publik, hyrja në kufi duhet të jetë më e theksuar dhe më e fortë, sepse kjo është hyrja për në Kosovë. Nëse këtu nuk do të kemi një ndriçim, i jep hije jo të mirë gjithë Kosovës. Megjithatë, nuk kemi pasur diçka konkrete. Gjithë atë ndriçim që ekziston e kemi bërë me mjetet komunale”, ka thënë Suma.

Po ashtu, ai ka kërkuar ndihmën e Qeverisë edhe për hapjen e pikave të përkohshme kufitare për t’i ndihmuar fshatarët që kanë prona andej kufirit.

“Si zonë kufitare kemi nevojë për hapjen e ndonjë pike kufitare të përkohshme. Këtu Qeveria mund të na ndihmojë. Nuk do të thotë se këto pika kufitare mund të jenë pika të rregullta kufitare. Ato mund të jenë të përkohshme vetëm për shkak të punimit të tokave, sepse banorët e kësaj komune kanë toka edhe në territorin e Maqedonisë. Pra, për ta lehtësuar qarkullimin për t’i punuar tokat do të ishte mirë hapja e ndonjë pike kufitare, qoftë edhe për disa orë gjatë ditës”, ka thënë Suma.

I pari i kësaj komune ka deklaruar se është në pritje të mbështetjes së Qeverisë për disa projekte.

“Ne kemi bashkëpunim normal me qeverinë qendrore. Jam takuar disa herë me kryeministrin dhe me ministra të caktuar. Ende nuk kemi mbështetje nga qeveria qendrore për ndonjë projekt konkret. Deri më tani kemi pasur vetëm premtime. Pra, gjatë këtij viti ende nuk kemi pasur asnjë mbështetje konkrete prej nivelit qendror. Ne mbesim me shpresë që me rishikimin e buxhetit që do të bëhet mund të marrim ndonjë mbështetje, nëse jo, gjithçka do të varet prej buxhetit tonë komunal”, është shprehur ai. Suma ka bërë me dije se të gjitha projektet që i ka premtuar para qytetarëve për këtë mandat kanë filluar të realizohen. “Ato zotime që i kemi bërë para qytetarëve janë realizuar ose janë në realizim e sipër”, ka thënë Suma.

“Epoka e re”: Z. Suma, ka disa muaj që keni filluar mandatin e tretë qeverisës në Komunën e Hanit të Elezit. Keni filluar t’i realizoni projektet e juaja për këtë mandat?
Suma: Unë nuk kam dëshirë të bëj premtime nëpër fushata por, megjithatë, ne kemi treguar atë që kemi synuar ta realizojmë. Projektet të cilat varen prej neve si komunë janë duke u realizuar. Pengesat zakonisht vijnë nëse në ndonjë projekt është i përfshirë niveli qendror. Përndryshe, ato projekte që ne i kemi planifikuar po realizohen. Kemi thënë se do ta bëjmë çerdhen e fëmijëve. Tani ajo është në ndërtim e sipër. Disa projekte madhore që kanë qenë në fshatin Seçishtë janë në realizim e sipër. Planifikojmë që gjatë këtij viti në disa fshatra t’i asfaltojmë rrugët. Pastaj kemi edhe projektin e kubzimeve të disa rrugicave në zonën urbane dhe në atë rurale. Sa i përket ndriçimit publik, jemi gati në përfundim edhe në zonën rurale. Ka mbetur për t’u ndriçuar vetëm ndonjë lagje e vogël. Po ashtu, kanë përfunduar procedurat e tenderit për vendosjen e kamerave të sigurisë edhe nëpër fshatra. Për dijeninë e opinionit, kamerat në zonën urbane i kemi vendosur që disa vjet. Gjithashtu, po vazhdojmë projektin e ndërrimit të laptopëve për të gjithë mësimdhënësit. Në përgjithësi puna po shkon mirë. Ngecje kemi vetëm në projektet që kanë qenë të varura prej Qeverisë qendrore. Vlen të përmendet këtu rasti i pastrimit të lumit Lepenc nga mbetjet e azbestit, i cili ka qenë një projekt me vlerë mbi një milion euro. Ky projekt nuk është realizuar ende, madje më shumë kemi dëme nga ky projekt sesa përfitime. Tani mbetjet e azbestit vetëm sa kanë dalë mbi sipërfaqe, ku tashmë është dëmtuar në tërësi një stadium i futbollit, kanalizimet dhe rrugët.

“Epoka e re”: Deri më tani të gjitha zotimet që i keni dhënë para qytetarëve janë duke u realizuar?
Suma: Ato zotime që i kemi bërë para qytetarëve janë realizuar ose janë në realizim e sipër.

“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi juaj me Qeverinë? A jeni të kënaqur me përkrahjen?
Suma: Ne kemi bashkëpunim normal me qeverinë qendrore. Jam takuar disa herë me kryeministrin dhe me ministra të caktuar. Ende nuk kemi mbështetje nga qeveria qendrore për ndonjë projekt konkret. Deri më tani kemi pasur vetëm premtime. Pra, gjatë këtij viti ende nuk kemi pasur asnjë mbështetje konkrete prej nivelit qendror. Ne mbesim me shpresë që tash, me rishikimin e buxhetit, do të marrim ndonjë mbështetje, nëse jo atëherë gjithçka do të varet prej buxhetit tonë komunal.

“Epoka e re”: Çfarë keni kërkuar nga Qeveria që pritni t’ju mbështesë?
Suma: Kemi kërkuar të na ndihmojë në asfaltimin e rrugës Dromjak – Neçavc. Për këtë projekt Qeveria na ka premtuar mbështetje, por ende nuk ka ndarë mjete buxhetore. Në takimin që kemi pasur me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës na kanë thënë se është në pritje të nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim. Ata zotohen se do të ndajnë mjete për këtë projekt.  Mandej është rehabilitimit i rrugës Han i Elezit – Gorancë, që ishte edhe rruga transit që është shfrytëzuar tani për shkak të bllokadës që ishte. Ai projekt kushton më shumë se 100 mijë euro. Ky ka qenë një premtim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe për këtë jemi në pritje. Pra, këto janë dy premtimet e qeverisë për komunën tonë.

“Epoka e re”: Prej kohës që keni marrë postin e kryetarit të kësaj komune, ju keni bashkëpunuar me disa kryeministra. Ka qenë i njëjtë çdoherë bashkëpunimi?
Suma: Bashkëpunimi ynë me të gjitha qeveritë ka qenë pothuajse i njëjtë. Deri më tani asnjë udhëheqësi e Qeverisë nuk mund të themi se e ka ndihmuar shumë Hanin e Elezit. Prej të gjitha udhëheqësive të Qeverisë kemi marrë përkrahje mesatare për projekte të caktuara infrastrukture. Cilado qeveri që ka ardhur, e udhëhequr nga PDK-ja, LDK-ja  apo tash nga AAK-ja, ne kemi marrë përkrahje mesatare.

“Epoka e re”: Domethënë, nuk ka pasur ndonjë pengesë pse ju keni qenë dhe jeni kryetar i pavarur?

Suma: Jo. Me asnjë Qeveri nuk kemi pasur probleme politike. Nuk mund të them se Qeveria e shkuar e ka bllokuar Hanin e Elezit apo kjo tjetra po e përkrah më shumë se qeveritë paraprake. Për neve të gjitha qeveritë kanë qenë të njëjta.

“Epoka e re”: Por meqenëse jeni zonë kufitare, do të duhej mbështetje më e madhe nga Qeveria qendrore.
Suma: Meqenëse jemi zonë kufitare Qeveria duhet t’i japë prioritet kësaj komune më shumë. Për shembull, duhet ta forcojë ndriçimin publik, hyrja në kufi duhet të jetë më e theksuar dhe më e fortë, sepse kjo është hyrja për në Kosovë. Nëse këtu nuk do të kemi një ndriçim, i jep hije jo të mirë gjithë Kosovës. Megjithatë, nuk kemi pasur diçka konkrete. Gjithë ndriçimi që ekziston e kemi bërë me mjetet komunale. Si zonë kufitare kemi nevojë për hapjen e ndonjë pike kufitare të përkohshme. Këtu Qeveria mund të na ndihmojë. Nuk do të thotë se këto pika kufitare mund të jenë pika të rregullta kufitare. Ato mund të jenë të përkohshme, vetëm për shkak të punimit të tokave, sepse banorët e kësaj komune kanë toka edhe në territorin e Maqedonisë. Pra, për të lehtësuar qarkullimin për t’i punuar tokat do të ishte mirë hapja e ndonjë pike kufitare, qoftë edhe për disa orë gjatë ditës.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Botërori i Rusisë është ai që do të tronditë “rendin…