
Qeveria vendos për masat e reja anti-Covid
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia për shtrëngimin e masave anti-Covid, të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e premte, më 20 gusht.
Vitia ka theksuar se masat e marra nuk kanë të bëjnë me detyrim të vaksinimit.
Ai u shpreh se vendimi është bazuar në situatën epidemiologjike në vend.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit te Kosovës, Hysen Sogojeva, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Estradës në kuadër të OHTK-së, Afrim Muçiqi dhe Driton Hoti, drejtor i Departamentit të Sallave të Dasmave, kanë mbajtur dje një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ky takim kishte qëllim kryesor diskutimin rreth gjendjes pothuajse alarmante të krijuar së fundmi me ngritjen e rasteve të të infektuarve me Covid-19.
Ministri Vitia dhe përfaqësuesit e OHTK-së u zotuan se do të përpiqen të gjejnë një mundësi që pa u dëmtuar askush dhe duke respektuar masat të arrihet deri te zvogëlimi i sërishëm i numrit të të infektuarve me këtë virus.
Në këtë takim u vendos që gastronomia dhe hoteleria në përgjithësi të punojnë deri në orën 22:30.
Në sallat e dasmave të ketë më së shumti 150 persona. Pronarët e sallave të dasmave janë të obliguar të caktojnë një person i cili do t’u kërkojë të ftuarve njërën nga dëshmitë: testin negativ për Covid-19 jo më të vjetër se 72 orë ose dëshminë që personi është vaksinuar së paku me dozën e parë të vaksinës.
Ndërkaq restorantet ditore, kafiteritë, hotelet dhe lokalet e tjera të ngjashme duhet të punojnë deri në orën 22:30. “Në qendrat tregtare është obligative mbajtja e maskës si dhe mund të punojnë deri në orën 22:30 dhe nuk ka kufizime të lëvizjes”, është thënë në njoftimin e OHTK-së.
Nga data 20 gusht hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambientet ku mbahen ahengjet, grumbullimet, tubimet masive, të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse pjesëmarrësit kanë një nga dëshmitë: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër Covid-19, ose dëshminë që janë negativë për Covid-19. Ky vendim hyn në fuqi më 20 gusht dhe vlen deri më 1 shtator.
Ministri Vitia dhe përfaqësuesit e OHTK-së u pajtuan se do të vazhdojnë takimet dhe do të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe secili hap do të merret bashkërisht. Ata, po ashtu, u pajtuan se nëse pas datës 1 shtator bie numri i të infektuarve, atëherë masat lirohen sërish dhe e kundërta.