Qindra të vdekur nga Ebola në Kongo, alarm për versionin Budibugio
Autoritetet shëndetësore në Republikën Demokratike të Kongos kanë bërë të ditur se numri i rasteve të konfirmuara në laborator nga shpërthimi i virusit Ebola ka arritur në 1,155, ndërsa 304 persona kanë humbur jetën.
Sipas buletinit më të fundit, vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 37 raste të reja dhe 5 viktima të tjera, çka tregon se përhapja e virusit vijon me ritme shqetësuese.
Ekspertët e shëndetësisë theksojnë se përmirësimi i mbikëqyrjes epidemiologjike ka mundësuar identifikimin më të hershëm të rasteve, por njëkohësisht ka konfirmuar edhe rritjen e vazhdueshme të transmetimit të virusit nga java në javë.
Shpërthimi aktual, i shpallur zyrtarisht më 15 maj, është shkaktuar nga lloji Budibugio i virusit Ebola, një variant më i rrallë për të cilin aktualisht nuk ekziston një trajtim apo vaksinë specifike. Ndryshe nga ai, shumica e epidemive të mëparshme janë shkaktuar nga varianti Zaire, për të cilin ekziston një vaksinë.
Autoritetet besojnë se virusi kishte qarkulluar për një periudhë të caktuar pa u zbuluar, përpara se të shpallej zyrtarisht epidemia.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi Ebola ka shkaktuar të paktën 15 mijë viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit, ndërsa shkalla e vdekshmërisë varion nga 25% deri në 90%, në varësi të variantit dhe kushteve të shpërthimit.
Epidemia më e rëndë në historinë e Republikës Demokratike të Kongos ndodhi në periudhën 2018–2020, kur u regjistruan rreth 3,500 raste dhe afro 2,300 viktima.



