QKMF-ja në Podujevë do të ofrojë shërbime të reja shtesë për qytetarët

27 janar 2021 | 14:23

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me drejtoreshën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Egzona Mustafa-Gashi, kanë vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila për herë të parë do të ofrojë shërbimi paliativ, kurse shërbimet e rëntgenit dhe laboratorit qytetarët do të mund t’i marrin gjatë 24 orëve.

Kryetari Bulliqi me këtë rast ka thënë se që nga marrja e mandatit në krye të komunës njëri nga prioritetet kryesore të qeverisjes është përmirësimi dhe avancimi i shërbimeve mjekësore për qytetarët e Podujevës.

“Me ofrimin e shërbimit paliativ ofrojmë vizitën mjekësore dhe aplikimin e terapisë nga ana e doktorit të mjekësisë dhe infermieres në shtëpitë e të sëmurëve, të cilët janë të palëvizshëm. Gjithashtu me shërbimin gjatë 24 orëve të rëntgenit dhe laboratorit, qytetarët nuk do të kenë nevojë të shkojnë nëpër laboratorë privatë, por edhe në QKUK në Prishtinë, për të marr këto shërbime”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka theksuar se Komuna e Podujevës do të vazhdojë me investime në sektorin e shëndetësisë, në mënyrë që qytetarët tanë të marrin shërbime mjekësore cilësore dhe të shpejta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar memorandum…