QKSS dhe Drejtoria e Arsimit në Prishtinë nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për sigurinë në shkolla
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Prishtinë, e përfaqësuar nga drejtori Samir Shahini.
Ky memorandum vendos një kornizë të strukturuar bashkëpunimi në kuadër të projektit “Një gjeneratë në rrezik: Adresimi i kriminalitetit të të rinjve dhe sigurisë në shkolla përmes kërkimit dhe reformave të informuara”.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është të mbështesë hulumtimin e bazuar në evidencë, të forcojë koordinimin institucional dhe të kontribuojë në hartimin e politikave të informuara për rritjen e sigurisë në shkolla dhe parandalimin e dhunës rinore.
Palët riafirmojnë angazhimin e tyre për respektimin e standardeve profesionale dhe etike, mbrojtjen e të dhënave dhe zbatimin e qasjeve gjithëpërfshirëse, me synimin e krijimit të një mjedisi shkollor më të sigurt dhe mbështetës për nxënësit.



