QKUK-ja pranon 675 shtretër nga JICA japoneze

15 shkurt 2022 | 17:17

Ministri i Shëndetësisë (MSh), Rifat Latifi me bashkëpunëtorë ka marrë pjesë të martën në QKUK në ceremoninë e pranimit të 675 shtretërve spitalor nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve Kundër Sëmundjeve Infektive, përfshirë Covid-19.

“Pas asistencës teknike të ofruar ndër vite, trajnimit të menaxherëve shëndetësor në Japoni, dhurimit të terapisë ‘favipiravir’ për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në fillim të pandemisë, pajisjeve spitalore, ndihmës në fushatën për vaksinim; spitalet tona po pranojnë një mbështetje të jashtëzakonshme, kësaj radhe, 675 shtretër spitalor”, ka thënë ministri Latifi gjatë kësaj ceremonie.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë,  ka thënë Latifi është shumë falënderuese për këtë përkrahje, sikurse edhe vet qytetarët e Kosovës, të cilët tek qeveria dhe populli japonez, kanë gjetur gjithmonë mbështetje për kërkesa konkrete.

“Kontributet si ky, do ta kenë ndikimin e drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor dhe ne ju falënderojmë edhe një herë për mbështetjen konkrete dhe të vazhdueshme për shëndetësinë tonë”, është shprehur Latifi.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Yamanaka Keisuke, ka thënë se sigurimi i shtretërve për QKUK është pjesa e dytë e implementimit të projektit që kap vlerën prej 846 mijë 0 eurove apo 110 milionë yenëve japonez.

Ndërsa përfaqësues kryesor i zyrës ballkanike të Agjencionit Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Jiro Takeichi, ka thënë se bazuar në marrëveshjen me MSh-në/SHSKUK-në, 359 shtretër do të mbesin në QKUK, ndërsa 316 të tjerët do të jenë për gjashtë spitalet e përgjithshme (Prizren, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë).

Ai ka thënë se përfituesit kryesor nga modernizimi i shtretërve spitalor, vebinaret e përcjella lidhur me sëmundjet ngjitëse, përfshirë Covid-19 dhe hulumtimit rreth sektorit shëndetësor do të jenë qytetarët e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia evropiane për bashkëpunim të zbatimit të ligjit (Europol) në…