QKUK-ja realizon me sukses një ndërhyrje komplekse tek një 71-vjeçare
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka bërë me dije se në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare është realizuar me sukses një ndërhyrje komplekse kirurgjikale për trajtimin e aneurizmës së arteries splenike tek një paciente 71-vjeçare.
Aneurizma, me dimension rreth 7 cm dhe pjesërisht e trombozuar, paraqiste rrezik të lartë për rupturë dhe gjakderdhje potencialisht fatale.
Pas diagnostikimit me angiografi CT (CTA), ekipi multidisiplinar vendosi për trajtim kirurgjikal të hapur. Gjatë ndërhyrjes është kryer aneurizmektomia dhe rekonstruksioni vaskular me anastomozë termino-terminale të arteries splenike, duke bërë të mundur ruajtjen e splenit dhe funksionit të tij imunologjik e hematologjik.
Rasti është shoqëruar edhe me sfida të rëndësishme anesteziologjike dhe pulmonare, të cilat janë menaxhuar me sukses nga ekipi profesional i anesteziologjisë dhe kujdesit intensiv.
Pacientja ka qëndruar për monitorim intensiv postoperativ për 48 orë dhe është liruar nga klinika pas 7 ditësh në gjendje të mirë shëndetësore.
Në njoftimin për media është thënë se ky sukses pasqyron profesionalizmin, përkushtimin dhe bashkëpunimin multidisiplinar të stafit të QKUK-së në trajtimin e rasteve komplekse kirurgjikale dhe ofrimin e kujdesit cilësor për pacientët.



