QKUK pa shef të personelit – SHSKUK merr përkohësisht kontrollin, dyshime për keqpërdorime dhe emërime familjare

04 gusht 2025 | 15:06

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) aktualisht po funksionon pa një shef të sektorit të personelit, ndërsa përgjegjësitë për këtë pozitë janë marrë përkohësisht nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), shkruan Demokracia.com.

Ky zhvillim ka ndodhur pas, siç është thënë zyrtarisht, “uljes në pozitë” të shefit të mëparshëm të këtij sektori. Menaxhmenti i QKUK-së ka kërkuar që SHSKUK ta menaxhojë përkohësisht sektorin e personelit dhe të procedojë me konkurs për përzgjedhjen e shefit të ri.

Por ndërkohë janë emëruar ushtrues detyre nga jashtë strukturës së QKUK-së, ndërsa disa nga figurat e përfshira në këto emërime rezultojnë të kenë lidhje familjare mes vete.

Hasan Ajeti, aktualisht ushtrues detyre i drejtorit të Burimeve Njerëzore në SHSKUK, është caktuar edhe si ushtrues detyre i shefit të personelit në QKUK. Për këtë pozitë të dytë, Ajeti përfiton një shtesë prej 20% në pagë.

Demokracia.com ka adresuar pyetje të drejtpërdrejta në SHSKUK, duke kërkuar sqarime për ligjshmërinë e këtij emërimi dhe për faktin nëse përbën konflikt interesi dhe keqpërdorim të pozitës nga ana e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Në pyetjet drejtuar zyrës së drejtorit të përgjithshëm, Demokracia ka kërkuar të dijë:

A është në kundërshtim me ligjin emërimi i Hasan Ajetit si U.D. në dy pozita të ndryshme brenda dy institucioneve të mëdha shëndetësore?

Pse nuk është caktuar ndonjë zyrtar i lartë nga vetë QKUK për pozitën e shefit të personelit?

A përbën keqpërdorim të pozitës fakti që Ajeti ka ndërruar vendin e punës me Jehona Vasollin, duke marrë pozitën e saj të mëparshme si U.D. drejtor i Burimeve Njerëzore?

Si qëndron fakti që bashkëshortja dhe motra e Hasan Ajetit janë të punësuara në institucione të ndërlidhura me pozitat që ai ushtron?

Në përgjigjen zyrtare për Demokracia, SHSKUK ka konfirmuar vetëm se: “Pas uljes në pozitë të shefit të personelit të QKUK-së, menaxhmenti i QKUK-së kishte kërkuar nga SHSKUK të procedojë me konkurs për shef të personelit dhe përkohësisht të kalojnë përgjegjësitë e menaxhimit tek SHSKUK. Konkursi është në procedurë dhe pritet që së shpejti, sipas procedurave ligjore, të zgjidhet shefi i sektorit të personelit në QKUK”.

Megjithatë, SHSKUK nuk ka ofruar përgjigje lidhur me pyetjet konkrete për emërimin e një zyrtari nga jashtë institucionit, duke anashkaluar zyrtarët ekzistues të QKUK-së, ndonëse Ligji për Zyrtarët Publikë (08/L-197), neni 35, paragrafi 2, e përcakton qartë që ushtruesi i detyrës duhet të jetë zyrtar i lartë brenda institucionit.

QKUK ka dhjetëra punonjës në sektorin e burimeve njerëzore që, sipas ligjit, do të mund të përmbushnin këtë rol pa ndërhyrje nga SHSKUK-u.

Për më tepër, Demokracia.com ka siguruar të dhëna që ngrenë dyshime për konflikt interesi në një konkurs për punëtor administrativ të mbajtur në vitin 2024, bashkëshortja e Hasan Ajetit është punësuar në mënyrë të dyshimtë, ndërsa motra e tij punon në zyrën ligjore të QKUK-së. pozita që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë e tij aktuale.

As për këto raste, SHSKUK nuk ka dhënë ndonjë koment.

Dyshime për degradim të qëllimshëm dhe rotacion për “kapje pozite”

Burime brenda QKUK-së kanë thënë se ish-shefi i personelit është degraduar me qëllim, për t’i hapur rrugë Hasan Ajetit që të emërohet në pozitë në kundërshtim me praktikat e zakonshme dhe pa transparencë. Ish-shefi ka ngritur edhe padi për këtë rast.

Sipas të njëjtave burime, Ajeti, pak kohë pasi ishte caktuar si U.D. për siguri në punë në SHSKUK, ndërroi vendin me Jehona Vasollin, e cila më parë mbante pozitën e U.D. drejtoreshë e Burimeve Njerëzore. Ky rotacion i menjëhershëm, pa konkurs dhe pa ndonjë arsyetim publik, ka ngritur dyshime për “shkëmbim pozicionesh” me qëllime personale. As për këtë ndërrim pozicionesh, SHSKUK nuk ka ofruar shpjegime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Patrick Schick, i cili ka “vajtuar” largimin e Granit…