QSU-ja e FSK-së nënshkruan marrëveshje me Universitetin Norwich të ShBA-së
Në Palermo të Italisë, Komandanti i Qendrës për Studime Universitare, major Mimoza Budeci, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësuesin e Universitetit Norwich (ShBA).
Universiteti Norwich është ndër institucionet më të vjetra akademiko-ushtarake në ShBA, që shkollon dhe trajnon liderët e ardhshëm ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm.
Aktualisht, Universiteti Norwich renditet në mesin e tre universiteteve më të mira në ShBA në fushën e teknologjisë informative, sigurisë kibernetike dhe luftës elektronike.
Bazuar në këto marrëveshje, për herë të parë, duke filluar nga semestri i ardhshëm akademik, kadetë nga QSU do të mund të ndjekin studimet e tyre semestrale në Universitetin Norwich dhe në të njëjtën kohë kadetë nga Universiteti Norwich do të kenë mundësi të vazhdojnë studimet e tyre ushtarake semestrale në QSU.
QSU-ja po shënon suksese të rëndësishme si institucion akademik ushtarak ndërkombëtar, duke realizuar dhjetëra programe të ndryshme shkëmbimi të kadetëve me shtete dhe akademi të ndryshme, përfshirë: ShBA, Kanadanë, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Kroacinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe shtete të tjera.
Sot, aktivitetet e Qendrës për Studime Universitare janë bërë pjesë e rregullt e programeve vjetore të akademive ushtarake në ShBA dhe Evropë – një tregues i qartë i profesionalizmit dhe besueshmërisë që QSU po gëzon në arenën ndërkombëtare si Akademi Ushtarake për edukimin e liderëve ushtarakë të së ardhmes.



