Quint-i shpreh shqetësim për rrezik të përshkallëzimit apo dhunës në protesta

25 mars 2022 | 12:34

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë thënë se janë të shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e planifikuara të premten.

Në deklaratën e Quint-it dhe BE-së nuk është përmendur lokacioni, mirëpo sot në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë janë duke u zhvilluar protesta të popullsisë lokale serbe, kundër vendimit Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Serbët protestojnë kundër mosmbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia kanë pasur “obligim pune” të marrin pjesë në protesta.

“Qytetarët kanë të drejtë që të mblidhen dhe kanë përgjegjësi që këto protesta të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme”, është thënë në deklaratën e këtyre misioneve.

Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.

Popullata e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës po proteston në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë shkuar në mënyrë të organizuar në Graçanicë.

Prishtina zyrtare pretendon se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë ndaluar, por nuk është arritur marrëveshje mes dy palëve për mbajtjen e tyre,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka këmbëngulur që Beogradi zyrtar t’i dërgojë një kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, gjë të cilën Serbia e ka parë si si presion për njohjen e Kosovës dhe ka refuzuar diçka të tillë.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Serbët e Kosovës po protestojnë në Mitrovicë të Veriut dhe…