Qumështarët kërkojnë ndihmë nga deputetët

26 prill 2018 | 11:43

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit dhe Shoqata e Qumështarëve të Kosovës u janë drejtuar me një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë letër, ata thonë se ndihen të tradhtuar nga Qeveria e Kosovës lidhur me masën mbrojtëse ndaj importimit të qumështit nga Bosnja.

“Më 16 prill të këtij viti Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse prej 17 për qind për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina. Ky vendim është marrë pas shumë ankesave nga akterët e sektorit të qumështit për tregti të padrejtë me këtë shtet që ende as që e njeh Kosovën. Vendimi është i bazuar edhe në hetimet profesionale të bëra nga departamentet përkatëse në MTI në bashkëpunim edhe me akterë tjerë qeveritarë. Vendimi për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse ndaj importeve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është pritur mirë nga të gjithë qumështarët dhe fermerët kosovar pa asnjë dallim dhe konsiderohet si një ndër vendimet më të mira të marra për sektorin tonë në dekadat e fundit. Megjithatë gëzimi ynë mori fund me takimin e kryeministrit Ramush Haradinaj me homologun e tij nga Bosnja e Hercegovina gjatë Samitit Digjital ne Shkup, ku Haradinaj premton prolongimin e masës mbrojtëse”, është thënë në këtë letër.

Sipas Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit dhe Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, ky lajm u publikua gjerësisht në Bosnjë e Hercegovinë por edhe tek ne.

“Të premten ne marrim një e-mail nga MTI-ja me kërkesën për kinse hetime shtesë rreth ndikimit të importit të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, ku në fund thuhet se nëse MTI-ja nuk merr përgjigjet e duhura deri të hënën më 23 prill kur vendimi do të duhej të hynte në fuqi, atëherë ata nuk do të mund të vazhdojnë me masën mbrojtëse. Ne kemi dërguar përgjigjet tona MTI-së ku i shpjegojmë që shoqatat nuk janë përgjegjëse për hetimet e importeve të padrejta dhe i kujtojmë se vendimi është marrë pas hetimeve nga komisioni ndërministror i krijuar pikërisht nga MTI. Por është e qartë se këto gjëra i ka ditur edhe MTI-ja, por duke kërkuar arsyetim për mosaplikimin e vendimit të vet, ka dalë me një gjetje të tillë të pyetjeve shtesë për qumështarët”, është theksuar në këtë letër.

Letra vazhdon se: “Si rrjedhojë vendimi për masën mbrojtëse ndaj importeve nga Bosnja dhe Hercegovina nuk është duke u aplikuar dhe kjo është bërë të hënën publike edhe në media. Ne ju lusim që ju si përfaqësues të drejtpërdrejtë të popullit të kërkoni përgjegjësi nga Kryeministri dhe qeveria për këtë çështje që prek me mijëra fermerë e qumështarë, të punësuarit dhe familjet e tyre”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi është duke e përgatitur një ofertë prej 200…