
Quni dhe Rama: FSK-ja me sukses i ka realizuar objektivat për vitin 2020
Ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant, Rrahman Rama, kanë mbajtur të hënën konferencën e fundvitit.
Ata kanë thënë se pavarësisht sfidave që i ka krijuar përhapja e pandemisë Covid-19, FSK-ja ja realizuar të gjitha objektivat e planifikuara për vitin 2020, madje në disa raste i ka tejkaluar pritshmëritë.
Ministri Quni ka thënë se objektivi kryesor i FSK-së është që të ndërtohen forca të ndërveprueshme me NATO-n dhe partnerët e saj.
“Përkundër përballjes me Covid-19, me kënaqësi mund të konstatoj se të gjitha objektivat e planifikuara për vitin 2020 i kemi realizuar me sukses – në disa fusha edhe i kemi tejkaluar ato”.
“Me sukses arritëm t’i mirëmbajmë aftësitë dhe kapacitetet operacionale aktuale në mbështetje të institucioneve. Kemi avancuar me sukses në transicionin dhe krijimin e kapaciteteve të para të mbrojtjes së territorit”.
“Kemi përfaqësuar ministrinë në konferencën e Kartës së Adriatikut ku shpresojmë që së shpejti të anëtarësohemi me të drejta të plota. Objektivi ynë është që të zhvillojmë forcat tona në angazhimin e forcave të përbashkëta paqe ruajtëse”, ka thënë Quni.
Ndërsa gjenerallejtënant Rama ka theksuar se FSK është në proces të përmbylljes së fazës së parë të transicionit në ushtri të Kosovës.
“Jemi në proces të përmbylljes së fazës së parë dhe tash do të kalojmë në fazën e dytë të transicionit – jemi të vetëdijshëm që është shumë më sfidues, por jam i sigurt se do ta arrijmë atë”, është shprehur Rama.