
Quni ia dorëzon detyrën ministrit Armend Mehajt
Armend Mehaj ka pranuar të martën detyrën e Ministrit të Mbrojtjes nga ana e ministrit të deritashëm të kësaj ministrie, Anton Quni.
Në pritjen e ministrit Mehaj dhe stafit të tij, përveç ish-ministrit Quni ishin edhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes, Rozafa Ukimeraj, komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneralbrigade Fadil Hadërgjonaj dhe zyrtarë e oficerë të tjerë të kësaj ministrie.
Me këtë rast, ish-ministri Quni, pasuesit të tij, ministrit Mehaj i ka uruar suksese në punën e tij, duke ia dorëzuar pakon e dokumenteve kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kurse, nga ana e tij, ministri Mehaj ka vlerësuar lart punën e deritashme të ministrit Quni, duke shprehur besimin se të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së do të angazhohet t’i avancojë edhe më tutje drejtë përmbushjes së plotë të misionit kushtetues dhe ligjor.
Më tutje, ai ka thënë se do të angazhohet për një forcë profesionale, bazuar në standardet më të larta të ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s.