Quni për Kurtin: Kur s’ka nevojë për dikë e quan tradhtar, kjo është logjika e tij politike
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Anton Quni, ka folur se pse Lëvizjen Vetëvendosje ka fajësuar LDK-në për mosbashkëpunim në formimin e qeverisë.
Ai ka thënë se kur Albin Kurti nuk ka nevojë për dikë, e quan tradhtar.
“Janë shumë arsye pse ne nuk kemi bashkëpunuar me LV-në. Edhe kjo varët nga edukata, nga vetë personaliteti i tij… Për të nuk është problem një njeri apo një organizatë të jetë deri në një moment të caktuar, kur nuk ke nevojë për të, nuk e ke problem me quajtur tradhtar, pjesë e lëvizjes hibride, pjesë e agjendës së Serbisë, bashkëpunëtor të Listës Serbe, deri tek etiketimi me hajvana. Por, në momentin që ti e kupton që nuk mundesh me vazhduar tutje edhe pa të tillë, ti e ndërron retorikën edhe i sheh një parti me traditë, me vlera, me kapacitet…”, ka thënë Quni për “Tëvë1”
Quni e ka bërë të qartë se LDK-ja ka bërë përpjekje për të arritur një marrëveshje qeverisëse, por sipas tij, LV-ja nuk ka qenë në gjendje të përmbushë kushtet për stabilitet institucional.
“Ne si LDK kemi dalë me një ‘projekt’ për një qeveri gjithëpërfshirëse me një kohë të limituar dhe me një agjendë të veçantë sipas prioriteteve. Me këtë, jemi munduar dhe po mundohemi t’i japim përgjigje kësaj situate e cila është krijuar…”, ka thënë Quni.
Sipas tij, mungesa e komunikimit të hapur dhe kapacitetit për koalicion me partnerët politikë ka bërë që institucionet të ngecin, ndërkohë që çështje si zhvillimi ekonomik dhe integrimet euroatlantike mbeten të pambyllura.
Seanca dhe debatet për formimin e qeverisë pritet të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa deklarata e Qunit rikthen në vëmendje sqarimin e qëndrimeve të partive ndaj procesit qeverisës.



