Qytetarët kërkojnë lirimin e liderëve të UÇK-së

22 shkurt 2026 | 14:44

Qytetarët në Kosovë presin lirimin e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)  të cilët po gjykohen në Hagë, të lirohen.

Sipas tyre, akuzat ndaj tyre Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë të pabazuara dhe procesi gjyqësor përbën padrejtësi ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas përfundimit të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, më 18 shkurt, disa qytetarë në Prishtinë kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Qytetari Bajram Kastrati, ka thënë se dënimi i krerëve të UÇK-së do të nënkuptonte, sipas tij, dënimin e gjithë ushtrisë dhe të Kosovës.

“Me u dënuar krerët e UÇK-së, dënohet krejt ushtria, krejt Kosova. Prandaj është mu habit. Po ne shpresojmë që në muajin maj me qenë ata këtu. Se janë t’pafajshëm. Merre me mend çfarë anomalie e madhe ku  thotë prokurori se Hashim Thaçi e ka mashtruar  Clarkin. Kjo është mizërie. Nuk kanë faj ata”, ka thënë ai.

Ndërsa qytetari Bedri Berisha, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Ata duhet me u liruar menjëherë. Po të gjithë, të gjithë. Absolutisht”, ka thënë ai.

Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt.

Të mërkurën e 18 shkurtit, mbrojtjet e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.

Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.

Më pas, mbrojtja e viktimave ka thënë para trupit gjykues se ajo nuk e ka obligim t’i vërtetojë akuzat ndaj të akuzuarve.

Në fund të ditës, ishte radha e të të akuzuarve për t’u deklaruar përfundimisht rreth akuzave me të cilat ngarkohen.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, secili, ngulën këmbë në fjalët e tyre përmbyllëse se ndihen tërësisht të pafajshëm dhe mbrojtën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të drejtë dhe për çlirimin e një populli që po përballej me një luftë agresore. /EO

 

Ata kanë thënë e nuk kanë kryer krime dhe se prokuroria nuk ka mundur t’i arsyetojë akuzat, siç thanë, të pabazuara, kundër tyre.

 

Pas përfundimit të deklaratave të tyre, kryegjykatësi Charles Smith III e shpalli të mbyllur çështjen gjyqësore.

 

Seanca e fundit është mbajtur vetëm një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë mbledhur në Prishtinë në mbështetje të katërshes të UÇK-së dhe për të kërkuar gjykim të drejtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i Kosovës dhe një nga themeluesit e UÇK-së, Hashim…