Qytetarët kërkojnë president unifikues dhe konsensual, thonë se zgjedhjet po kushtojnë shumë
Qytetarët e vendit po kërkojnë zgjedhjen e një presidenti të ri.
Ata kanë deklaruar se duhet të lihen anash inatet politike, dhe se duhet të zgjidhet një president unifikues dhe konsensual në mënyrë që vendi të shkojë përpara, raporton Ekonomia Online.
Qytetari Besim Shala, thotë për Ekonomia Online se politikanët duhet të bëhen bashkë në dhe ta zgjedhin presidentin.
Por, se siç thotë ai edhe nëse shkohet në zgjedhje është një gjë normale.
“Unë quhem Besim Shala, ndryshe pensionist. Vendi që bëhet me u zgjedhë më mirë është, se nuk ka humbje. Po këtu ashtë bërë grup i madh mes veti. Albin Kurti e ka mirë, mundet me zgjedhë presidentin më mirë, po qe se nuk zgjidhet, me dialog është më mirë. Që bëhet me u zgjedhë mirë, që s’bëhet, shkojmë në zgjedhje të lira, që është normale. Po, duhet me ra, duhet me gjetë se dikush ashtë bërë milioner, dikush s’ka çfarë të hajë. Unë kisha thënë me u bë bashkë, me formu shtetin, kryetarin, e mbasandej, qe s’bëhet, zgjedhje të lira. Ashtë gjë normale. Në vendin që kemi ne, nuk ka askush me ne. Me rrethin që kemi ne, asnjë s’ka askund. Banesa të reja, shtëpia të reja, veshje e mbathje, me ngrënë e me pirë të gjitha të mirat i kanë. Kush? Veç ata që kanë shumë para dhe lypin telashe”, tha Besim Shala.
Një qytetar tjetër, Vesel Veseli kërkon që mes subjekteve politike të gjendet një kompromis për një figurë unifikuese, pasi sipas tij ka plot të tilla.
Veseli, ka thënë se shteti nuk guxon të mbetet pa president, duke shtuar se për zgjedhjet e reja po ka shpenzime të shumta.
“Unë mendoj se duhet të gjejmë një kompromis mes subjekteve tona politike, në pozitë edhe në opozitë, të zgjedhim presidentin. Sepse shteti pa president nuk guxon të mbetet. Mirë është ushtruesja, po ajo është ushtruese. Edhe ne duhet sa më shpejt të gjejnë subjektet tona politike një president të unitetit, një president që nuk përçan, një president që e lufton për zhvillimin demokratik të shtetit, për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, me NATO-n, i cili punon për ta çuar Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës, si anëtare të NATO-s dhe si anëtare të Kombeve të Bashkuara. Një asi president unifikues e jo përçarës na vjen. Zgjidhja më e mirë është zgjedhja e presidentit, sepse dihet zgjedhjet neve po na marrin shpenzime të mëdha financiare. Edhe ato shpenzime më mirë është që të përdoren për ndërtimin e një shkolle, e një çerdhe të fëmijëve, e një stacioni shëndetësor e tjera gjëra që janë të dobishme për popullin, e jo të shkojnë kështu shkel e shko. Besoj që ka shumë. Ata duhet të gjejnë një president unifikues, konsensual, që është i përshtatshëm, i dëshirueshëm për të gjitha partitë edhe për popullin, i dobishëm. S’ka lidhje i cilit subjekt politik është, po ndoshta edhe hiq i paangazhuar në politikë, por që është intelektual i fortë, domethënë edhe njeh politikën, marrëdhëniet ndërkombëtare, se si të na përfaqësojë në botën e jashtme”, tha Vesel Veseli.
Një ish punëtor i arsimit, Basri Hoxha tha se duhet lënë anash inatet dhe të vendoset për zgjedhjen e presidentit.



