Qytetarët marrin kredi edhe për harxhime ditore

07 qershor 2022 | 08:39

Mihrije Gashi ka marrë tre mijë euro kredi për ta ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të përditshme.

Mihrija, në të 50-tat e saj, jeton me bashkëshortin, tre fëmijët dhe vjehrrit në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Ajo punon në një dyqan rrobash, ku paguhet 300 euro në muaj – ngjashëm sikurse edhe bashkëshorti i saj, i cili punon si elektricist në një biznes privat.

Kredinë thotë se e ka marrë në fillim të këtij viti dhe, për dy vjet rresht, do t’i paguajë bankës një këst mujor prej 130 eurosh, me normë interesi rreth 6 për qind.

Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve, Mihrija thotë se ndryshe nuk ka mundur t’ia dalë.

“Kredinë e kam marrë që të kem para në shtëpi, për nevoja të shtëpisë, për barna… Vjehrrit janë të sëmurë dhe duhet të kem para të gatshme në shtëpi”, thotë Mihrija për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi duke mbijetuar me këto rroga. Edhe pse po mundohemi të kursejmë çdo ditë, po marrim para [edhe] nga kredia”, thotë ajo.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e produkteve janë rritur për 11.2 për qind në muajin prill, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rritja ka filluar gradualisht, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, ndërsa hov i ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, që ka nisur në fund të shkurtit. Të dyja këto vende janë eksportuese të mëdha të drithërave, andaj lufta mes tyre ka lëkundur tregjet.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës konfirmojnë se në sektorin bankar ka rritje të kredive familjare.

Në dhjetor të vitit të kaluar, vlera e përgjithshme e kredive në dhjetë bankat komerciale në Kosovë ka arritur në mbi 3.75 miliardë euro.

Prej tyre, mbi 1.4 miliard euro kanë qenë kredi për ekonomi familjare, që kanë për qëllim konsumin.

Sipas të dhënave të BQK-së, shuma e kredive për konsum është rritur për 45 për qind në vitin 2021. Në vitin 2020, vlera e kredive për konsum ka qenë rreth 1.2 miliard euro, ndërsa në vitin 2019 kjo shumë ka qenë 1.1 miliard euro.

Nga BQK-ja thonë për Radion Evropa e Lirë se kreditë për qëllime konsumi janë rritur për 19 për qind edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, por nuk komentojnë se cilat mund të jenë arsyet e këtij trendi.

Megjithatë, në Anketën e Kreditimit Bankar, të publikuar nga BQK-ja në muajin mars, thuhet se nevoja për financim të konsumit dhe rritja e besueshmërisë së konsumatorëve ndaj bankave janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e kredive konsumuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në orët e mbrëmjes së datës 6 qershor 2022, Policia…