Qytetarët, raportuesit më të mëdhenj të korrupsionit, prokuroritë vetëm 4 raste i kanë iniciuar me vetiniciativë

19 qershor 2026 | 16:04

Në mbledhjen e 295-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Elza Bajrami ka prezantuar raportin vjetor të Komisionit Ad-Hoc Mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për vitin 2025.

Ajo ka bërë të ditur se raporti përfshin 19 vepra penale që hyjnë në kuadër të korrupsionit dhe 31 vepra penale që lidhen me krimet ekonomike.

Sipas saj, gjatë vitit 2025 shumica e kallëzimeve penale janë paraqitur nga qytetarët, më pas nga Policia dhe organet publike, ndërsa prokuroritë kanë iniciuar vetëm 4 raste me vetiniciativë.

Bajrami-Kastrati ka bërë të ditur se viti 2025 ka nisur me 708 raste, janë pranuar 677, janë proceduar 529, ndërsa 1127 raste kanë mbetur ende në punë.

Ajo ka theksuar se Prokuroria Themelore e Gjilanit prin në trajtimin e kallëzimeve penale me 67 për qind, ndërsa Mitrovica ka përqindjen më të ulët të trajtimit të rasteve.

Sipas saj, Prokuroria Themelore e Prizrenit prin në ngritjen e aktakuzave për rastet e korrupsionit, ndërsa Prokuroria e Pejës ka numrin më të ulët të aktakuzave dhe kryesisht karakterizohet nga hedhja e kallëzimeve dhe pushimi i hetimeve.

Për Prokurorinë e Apelit është bërë e ditur se shumicën e ankesave lidhur me hedhjet dhe pushimet i aprovon dhe i kthen për rivlerësim.

Sa i përket vendimeve gjyqësore, Bajrami ka deklaruar se në shumicën e rasteve ka aktgjykime dënuese, përveç disa dallimeve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku vërehet një balancë mes aktgjykimeve liruese dhe dënuese.

Në pjesën që lidhet me krimet ekonomike, është raportuar se shumica e kallëzimeve vijnë nga Policia dhe qytetarët, ndërsa prokuroritë me vetiniciativë kanë rol minimal.

Sipas raportit, viti 2025 ka filluar me 507 lëndë, janë pranuar 345, janë proceduar 279, ndërsa në punë kanë mbetur 696 raste.

Prokuroria Themelore në Gjilan është vlerësuar se ka proceduar numrin më të madh të rasteve, ndërsa Mitrovica numrin më të ulët të trajtimit të tyre.

Gjithashtu, është bërë e ditur se Prokuroria e Gjakovës prin në ngritjen e aktakuzave për krimet ekonomike, ndërsa Mitrovica dhe Prokuroria Speciale kanë kryesisht hedhje të kallëzimeve dhe pushime të hetimeve.

Sipas raportit, rreth 90 për qind e rasteve kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ndërsa në disa raste janë dhënë edhe aktgjykime liruese, për të cilat prokuroritë kanë ushtruar ankesa.

Në fund, është ngritur shqetësimi për kategorizimin e veprave penale dhe është kërkuar rishikimi i listës së korrupsionit dhe krimeve ekonomike, për shkak të mospërputhjeve ndërmjet prokurorive.

Raporti është miratuar me 7 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin…