
Qytetarët të zhgënjyer për dështimet e konstituimit të Kuvendit
Qytetarët e Kosovës shfaqin hapur me ton të rreptë zhgënjimin e thellë nga dështimet e përsëritura për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Disa qytetarë, me të cilët bisedoi Agjencia e lajmeve Ekonomia Online, vlerësuan se politikanët janë të pandjeshëm ndaj gjendjes së rëndë ekonomike të qytetarëve.
Sulejman Mushiqi vuri në dukje se njerëzit po përballen me rritje të çmimeve, me pensione të ulëta dhe përgjithësisht me kushte të vështira jetese.
“Sa i kemi pensionet, pagat? Sa janë çmimet? Si nuk pengon kjo situatë politike? Po këta nuk janë qeveritarë dhe asgjë! Është marre të bëhet kështu, të sillet vendi në këtë gjendje. Rryma është shtrenjtuar. Nuk e di se çka po bëhet? Lopën me qit tri herë në pazar atëherë duhet prerë se më nuk shitet. Këto janë marrëzi çka po bëhet në Kuvend. Kjo është puna e inatit. Për popull nuk e kanë gajle. Nuk e mendojnë që populli është në gjendje të vështirë me të gjitha,” u shpreh Mushiqi.
Ndërsa, Enver Çoçaj flet edhe më ashpër për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas vargut të 12 dështimeve për konstituimin e këtij institucioni ligjvënës. Ai me pezëm thotë se më tragjikja është se nuk ke kujt t’ia japësh votën.
“Këta janë bërë horë me tupan. Nuk meritojnë as t’u themi deputet, as Qeveri, as kryeministër. Këta nuk kanë dinjitet, as kulturë, as traditë. Të gjithë vetëm për karrige. Çfarë qeverie është kjo?! Qe 12 herë janë bërë horë. Me këta shpresë nuk ka. Çfarë shprese ofrojnë këta kur janë në gjendje të bëjnë gjithçka për interesa personale. Tragjedia më e madhe në këtë shtet është se nuk ke kujt t’ia japësh votën. Kape njërin, mëshoji tjetrit”, tha Çoçaj.
Nexhip Shulemaja mendon se duhet trysni e shtuar e qytetarëve për të marrë vendime të duhura për vendin.
“Ne i kemi fajet pse nuk e rrethojmë parlamentin me gurë dhe me domate. Mos me i lënë të dalin, derisa ta vendosin qeverinë”, tha për EO Shulemaja.