
Qytetarët vazhdojnë protestat masive kundër regjimit të Vuçiqit
Qytetarët e Serbisë nuk po heqin dorë nga protestat masive kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit, dhe mbrëmë në rrugë dolën edhe banorët e qytetit të Uzicës. Pjesëmarrësit në protestë, të udhëhequr nga studentë dhe motoristë, formuan një marsh që u nis nga qendra e qytetit drejt rrugës magjistrale që çon në Zlatibor, ku u vendos një bllokadë disaorëshe e qarkullimit.
Kolonat ishin të gjata dhe vlerësimet nga vendngjarja flasin për dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur. Protestuesit ndezën dritat e telefonave për të treguar numrin e madh të pjesëmarrësve, raportoi Nova.rs. Në Uzicë, bllokada vazhdon ende, me një atmosferë paqësore dhe pozitive.
Në të njëjtën kohë, një grup qytetarësh nga Nishi u mblodhën në kryqëzimin përpara Gjykatës Themelore në mbështetje të protestuesve të Uzicës, duke kërkuar lirimin e aktivistëve të arrestuar dhe përsëritën kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Protestuesit në Nish bënin zhurmë me bilbila dhe boritë e makinave, ndërsa tubimi u sigurua nga policia rrugore. Ftesa për këtë bllokadë u bë nga “zbori” i lagjes Palilula të Nishit, shkruan Nova.rs.
Tubimi filloi me 16 minuta heshtje dhe leximin e emrave të 16 viktimave në Novi Sad, me organizatorët që treguan kontekstin më të gjerë të luftës kundër dhunës dhe padrejtësisë.
Shumë punonjës dhe personalitete publike iu bashkuan turmës, përfshirë rektorin e Universitetit të Beogradit Vladan Gjokiq, i cili tha: “Le të vazhdojmë në atë që studentët filluan – në luftën për institucione që u shërbejnë qytetarëve”.
Aktori Tihomir Staniq gjithashtu dërgoi një mesazh të fortë duke cituar vargje nga Ljubomir Simoviq, ndërsa avokati i famshëm Bozho Preleviq tha: “Çfarë dobie ka një maskë për një oficer policie nëse ai po zbaton ligjin? Cili është qëllimi i një maske – frika apo e vërteta?”