Qyteti i kishave

11 maj 2025 | 19:00

Donald Barthelme

Donald Barthelme Jr. (1931 – 1989), shkrimtar amerikan, i njohur për stilin postmodernist të fiksionit të shkurtër.

“Po”, tha z.Filips, “qyteti ynë është tamam qytet kishash”.

Sesilia pohoi me kokë, duke ndjekur dorën e tij treguese. Që të dy anët e rrugës ishin të kufizuara nga kishat që qëndronin krah për krah në një varietet stilesh arkitektonike. Kisha Baptiste e Bethelit qëndronte afër Kishes se Lire Baptiste të Mesise se Shenjtë, Episkopalja e Shën Palit afër Ujdisë së Hirit Ungjillor. Pastaj vinte Shkenca e Parë e krishterë, Kisha e Zotit, Të Gjithë Shpirtrat, Zonj Jonë e Fitores, Shoqëria e Miqve, Asambleja e Zotit dhe Kisha e Apostujve të Shenjtë. Majat dhe kambanoret e ndërtesa tradicionale ishin dëng me fluturimet e pashoqe imagjinative të dizajnit “bashkëkohor”.

“Çdonjëri këtu tregon një interesim të madh përkitazi me kishat”, tha Filipsi.

A do të përshtatem?, vriste mendjen Sesilia. Kishte ardhur në Prester të hapte një degë të zyrës të një shoqërie të lëshimit të makinave me qira.

“Unë nuk jam gjithaq religjioze”, i tha ajo z.Filips, i cili merrej me biznesin e patundshmërive.

“Jo tani”, iu përgjigj ai. “jo ende. Po ne kemi këtu shumë njerëz të rinj të mirë. Do të integrohesh në komunitet shumë shpejt. Problemi i menjëhershëm është ku do të vendosesh të jetosh? Shumica e njerëzve”, tha ai, “jetojnë në kishën e zgjedhjes së tyre. Të gjitha kishat tona kanë nga disa dhoma. Ka ca apartamente kambanoresh që mund të t’i tregoj. Çfarë çmimi kishit ndarë mendjen të paguanit?”.

U kthyen në një qoshk dhe para tyre nxorën kokën edhe më shumë kisha të tjera. E kaluan atë të Shën Lukës, Kishën e Epifanisë, Gjithë shenjtët ortodoksë ukrainas, Shën Klementin, Fontanën Baptiste, Unionin Kongregacional, Shën Anargyrin, Tempullin Emanuel, Kishën e Parë të Krishtit të Reformuar. Gojët e të gjitha kishave ishin të hapura na. Brenda mezi dalloheshin dritat.

“Mund të shkoj deri në njëqind e dhjetë”, tha Sesilia. “A keni ndonjë ndërtesë këtu që nuk është kishë?”.

“Asnjë”, tha z.Filips. “Natyrisht, shumica e strukturave tona kishtare mund të përdoren po ashtu edhe për ndonjë gjë tjetër”. Tregoi me gisht një fasadë gjeorgjiane. “Në atë aty”, tha ai, “jetojnë Metodistët e Bashkuar dhe Bordi i Edukimit. Ajo tjetra ngjitur, që është e Antiokut Pentekostal, e ka një berberhane”.

E vërtetë ishte. Një shtyllë me shirita kuq e bardhë ishte mbështetur ashtu që të mos binte në sy në ballë të kishës pentestokale të Antioukut.

“A ka shumë njerëz që marrin makina me qira këtu?”, pyeti Sisilia. “Apo a do ta bënin, po të kishte një vend të ndorshëm për t’i dhënë me qira?”.

“Oh, s’e di”, tha z.Filips. “Marrja me qira e një makine nënkupton se duhet të shkosh diku. Shumica e njerëzve janë bukur të kënaqur këtu. Kemi një mori aktivitetesh. Nuk ma merr mendja se do të filloja me biznesin e dhënies me qira të makinave me t’u vendosur për të jetuar në Prester. Por, do t’ia dalësh mbanë”. Ai ia tregoi asaj një ndërtesë të vogël skajshmërisht moderne me një ballë me tulla, çelik dhe xham. “Kjo është Shën Barnabasi. Një tufë e këndshme njerëzish edhe këtu. Darka të mahnitshme me spageti”.

Sisilia mundi të shihte një numër kokash duke shikuar nga dritarja. Por kur e panë se ajo po shikotne drej tyre, kokat u zhdukën.

“A mendoni se është e shëndetshme për kaq shumë kisha të jenë të grumbulluara në një vend?”, pyeti ajo udhërrëfyesin e saj. “Nuk duket… i baraspeshuar, nëse po e kupton çka po mendoj”.

“Ne jemi të famshëm për kishat tona”, ia ktheu z.Filips. “Janë të ngrohta. Ja ku jemi”.

Ai e hapi një derë dhe filluan të ngjiteshin në disa kate nëpër shkallët me pluhur. Në fund të ngjitjes u futën në një dhomë me dimensione të mira, katrore, me dritare në të katër anët. Aty ishte një shtrat, një tavolinë dhe dy karrige, llamba, një sixhade. Katër kambana bukur të mëdha bronzi vareshin mu në qendër të dhomës.

“Çfarë pamjeje!, thirri z.Filips. “Ejani këtu dhe shikoni”.

“A u bien këtyre kambanave?”, pyeti Sesilia.

“Tri herë në ditë”, tha z.Filips, duke buzëqeshur. “Në mëngjes, mesditë dhe mbrëmje. Natyrisht kur u bien ju duhet të largoheni shpejt nga rruga. Njëherë goditesh nga këto vogëlushet dhe kaq e pat puna”.

“Zot i Plotfuqishëm”, tha Sisilia pa dashur. Pastaj tha, “Askush nuk jeton në apartamente kambanoresh. Ja pse janë bosh”.

“Ashtu mendoni?”, pyeti z.Filips.

“Mund t’ua jepni me qira vetëm të sapoardhurve në qytet”, tha ajo në mënyrë akuzuese.

“S’do ta bëj akëtë”, tha z.Filips. “Do të ishte kundër vëllazërisë së shpirtit të krishterë”.

“Ky qytet është paksa ngjethës, e dini këtë?”.

“Mbase ashtu është, por s’ju takon juve ta thoni, apo jo? Po mendoj, ju jeni e re këtu. Duhet të ecni me kujdes, për një kohë. Nëse s’e doni një apartament të sipërmë, kam një bodrum lart te kisha Presbiteriane Qendrore. Duhet ta ndani. Tani për tani aty jetojnë edhe tri gra të tjera”.

“Nuk dua ta ndaj”, tha Sisilia. “Dua një vend me vete”.

“Pse?”, pyeti me kureshtje burri i patundshmërive. “Për çfarë qëllimi?”.

“Qëllim?”, pyeti Sisilia. “Nuk ka asnjë qëllim të veçantë. Thjesht dua…”.

“Kjo nuk është e zakonshme këtu. Shumica e njerëzve jetojnë me të tjerët. Bashkëshortë e bashkëshorte. Bij me mamatë e tyre. Njerëzit kanë shokë dhome. Ky është modeli i zakonshëm”.

“Prapë, parapëlqej një vend me vete”.

“Kjo është njëmend e pazakontë”.

“A keni ndonjë vend të atillë? Përveç kullave me kambana, po mendoj?”.

“Ma ha mendja sa kemi pak sosh”, tha z.Filips, me një shkurajim të qartë. “Mund t’jua tregoj një a dy sosh, ma ha mendja”. Pauzoi për një moment. “Çështja është se mbase ne kemi disa vlera të ndryshme nga ato të komuniteteve përqark”, shpjegoi ai. “Kemi shkruar për këtë goxha shumë. kemi pasur katër minuta në lajmet e mbrëmjes të C.B.S.-së njëherë. Tre a katër vjet më parë. ‘Qyteti i kishave’, ishte titulluar”.

“Po, një vend me vete është esencial”, tha Sisilia, “nëse do të më duhet të mbijetoj këtu”.

“Ky është një lloj qëndrimi qesharak”, tha z.Filips. “Cilit sekt i përket?”.

Sisilia qëndroi e heshtur. E vërteta ishte se s’i përkiste asnjërit.

“Të pyeta cilit sekt i përket?”, e përsëriti z.Filips.

“Mund të dëshiroj ëndrrat e mia”, tha Sisilia. “Mund të ëndërroj çfarë të dua. Nëse dua të ëndërroj se jam duke kaluar një kohë ët mirë, në Paris, ose në ndonjë qytet tjetër, e gjitha që më duhet të bëj është të shkoj të fle dhe do të shoh atë ëndërr. Mund të ëndërroj çka të dua”.

“Atëherë çka ëndërroni më së shumti?”, pyeti z.Filips, duke e shikuar nga afër.

“Kryesisht gjëra seksuale”, tha ajo. Nuk ia kishte frikën.

“Presteri nuk është qytet i atij soji”, tha z.Filips, duke shikuar tutje.

U kthyen teposhtë shkallëve.

Dyert e kishave ishin të hapura, në të dy anët e rrugës. Grupe të vockla njerëzish dolën jashtë dhe qëndruan aty, para kishave, duke i shikuar Sisilian dhe z.Filips.

Një burrë i ri eci përpara dhe bërtiti, “Çdonjëri në këtë qytet e ka një makinë tashmë! S’ka njeri në këtë qytet që nuk ka makinë!”.

“A është e vërtetë?”, pyeti ajo z.Filips.

“Po”, tha ajo. “Është e vërtetë. Askush s’do të marrë makinë me qira. Jo në njëqind vjet”.

“Atëherë nuk do të qëndroj këtu”, tha ajo. “Do të shkoj diku tjetër”.

“Mund të qëndroni”, tha ai. “Këtu kemi tashmë një zyrë qiradhënieje t makinave për ju. Te Mali Baptist Moriah, në katin e lobimit. Aty është një banak, një telefon dhe një varëse të çelësave të makinave. Dhe një kalendar”.

“S’do të qëndroj”, tha ajo. “Jo përderisa s’ka një arsye të shëndoshë biznesi për të qëndruar”.

“Ne të duam këtu”, tha z.Filips. “”Duam të qëndrosh mbrapa banakut të agjencisë së qiradhënies, gjatë orëve të rregullta të punës. Do ta kompletojë qytetin”.

“Nuk do të rri”, tha ajo. “Jo unë”.

“Duhet. Është thelbësore”.

“Do të ëndërroj”, tha ajo. “Gjëra që nuk i doni”.

“Ne jemi të pakënaqur”, tha z.Filips. ”Tmerrësisht, tmerrësisht të pakënaqur. Diçka shkoi keq”.

“Do ta ëndërroj Sekretin”, tha ajo. “Do të më vij keq”.

“Ne jemi si qytet e tjera, përveç se ne jemi të përsosur”, tha ai. “Pakënaqësia jonë mund të mbahet nën fre vetëm nga përsosmëria. Na duhet një vajzë e qiradhënies. Dikush duhet të qëndrojë mbrapa atij banaku”.

“Do ta ëndërroj jetën nga e cila ju keni frikë më së shumti”, kërcënoi Sisilia.

“Ju jeni e jona”, tha ai, duke e mbërthyer për krahu. “Vajza jonë e qiradhënies. Tregohu e mirë. S’ka asgjë që mund të bësh këtu”.

“Prit dhe shiko”, tha Sisilia.

/Marrë nga Donald Barthelme, ‘Collected Stories’, Library Of America, 2021/Express

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tjetër rast i fotografimit të votës është regjistruar në…