Qyteti i Klinës bëhet me ujë të pijshëm

14 tetor 2025 | 13:07

Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, po ashtu edhe KRU ‘Hidrodrini’ Sh.A. – Pejë, Njësia Operative – Klinë, kanë njoftuar se pas analizave të kryera nga laboratori i akredituar nga DAK i KRU “Hidrodrini”, po ashtu edhe nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik (IRShP), uji nga pika furnizuese për qytetarët e qytetit të Klinës është brenda të gjitha normave, duke kaluar me sukses çdo kontroll dhe test të nevojshëm për sigurinë dhe cilësinë e tij.

Më poshtë njoftimi i plotë i kryetarit Elezaj pa ndërhyrje:

“Lajmi më i mirë për qytetarët e Klinës!

Të nderuar qytetarë,

Pas analizave të kryera në vazhdimësi, si nga Laboratori i akredituar nga DAK i KRU “Hidrodrini”, ashtu edhe nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik (IRSHP), ju njoftoj me shumë kënaqësi se uji nga kjo pikë furnizuese është brenda të gjitha normave, duke kaluar me sukses çdo kontroll dhe test të nevojshëm për sigurinë dhe cilësinë e tij.

Jam jashtëzakonisht i lumtur të ndaj me ju këtë lajm të shumëpritur se furnizimi nga Fundrruesi me ultrafiltra dhe procesimi në Fabrikën e Ujit në Klinë ka përfunduar me sukses dhe uji tashmë është plotësisht i pijshëm.

Ky është një rezultat i investimeve të mençura dhe të duhura, që kemi realizuar bashkë me Qeverinë e Kosovës dhe KRU “Hidrodrini”.

Falënderim të veçantë për të gjithë ata që janë angazhuar me përkushtim e profesionalizëm në këtë proces.

Urime të gjithë qytetarëve të Klinës për këtë lajm të mire!”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ka takuar dje presidentin e Asamblesë Parlamentare…