
Qytetin Trostyanets tash e kontrollojnë të zotët e vendit, ukrainasit
Pushtuesit rusë, bëjnë me dije autoritetet publike të Ukrainës, kanë shkatërruar 90 % të infrastrukturës së qytetit Trostyanets në rajonin Sumy.
Më 24 mars qyteti është liruar nga Kholodnoyarët, nga Mbrojtja Territoriale dhe nga guerilët vendas, por qyteti ka mbetur pa ngrohje, pa energji elektrike, pa ujë dhe komunikim.
Kryebashkiaku i Trostyanets, Yuri Bova, rrëfen për ndodhitë në qytet: “Më 22 mars Trostyanets ishte pika më e nxehtë në rajonin Sumy dhe ishte e pamundur të shuheshin zjarret për shkak të luftimeve të vazhdueshme. Armiqtë rusë kishin municion shumë dhe e shkatërruan qytetin. Dy tanke ruse e qëlluan spitalin të mbushur me njerëz. Përpos me tanke, shumë ushtarë rusë e gjuanin spitalin me mitralozat. Rreth 30 % e ndërtesës u shkatërrua. Nuk ka departament të padëmtuar në spital në të cilin njerëzit mund të pranohen. Çdo ditë në qytet gjenden kufomat e të vdekurve apo të torturuarve dhe ende nuk dihet numri i saktë i qytetarëve që janë rrëmbyer apo dëbuar me forcë në Rusi. Rreth 10 000 qytetarë tashmë janë larguar nga korridoret e gjelbra dhe ka mbeten në Trostyanets. Armiqtë ikën, por kanë lënë pajisjet e shkatërruara e të përdorura në qytet. Ka edhe shumë municione të pazbrazura, tanke me dhe pa defekte. Ato që përdoren, tashmë i kanë në duar Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe do t’i shërbejnë për t’i zmbrapsur pushtuesit me mjetet e veta.
Monument arkitektonik, Stacioni i Kërkimit Pyjor Krasnotrostyanets, është bërë rrafsh me tokë. Kishte oxhaqe unike, lisa të vjetër, literaturë unike të cilat janë ruajtur me shekuj. Edhe Muzeu i Njohurive Lokale, gjithashtu një monument arkitektonik i shekullit 18, është shkatërruar gati tërësisht. Shumë sisteme të furnizimit me energji janë shkatërruar, pastaj tubacionet e gazit dhe rrjetet e ujit. Sot qyteti, megjithatë, ka nevojë për ushqim dhe për ilaçe. Çdo ndihmë humanitare për banorët e Trostyanets është e dobishme”.
Burimi: Korrespondentja speciale e LB.ua, Anna Steshenko
Foto: Denis Karaban, EPA / UPG, 93 OMBr Kholodny Yar
Përktheu në shqip: Epoka e re