
Ra nga çatia e kishës më 19 maj, humbet jetën prifti korçar
Mitropolia e Shenjtë e Korçës njoftoi këtë të hënë në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale se prifti Kristaq Viso ka humbur jetën.
Kujtojmë se prifti pësoi një incident më 19 maj të këtij viti, ndërsa po kryente punime në çatinë e kishës dhe ra aksidentalisht.
Më pas, ai u transportua në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore.
Duket se Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso nuk i ka mbijetuar dëmtimeve të marra gjatë incidentit të 19 majit në kishë, duke humbur jetën të hënën, më 2 qershor.

Njoftimi i plotë:
“Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso!
Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllimet e përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve e të afërmve!
I lutemi Perëndisë, të cilit i shërbeu, që ta ndjejë dhe ta prehë shpirtin e tij me shenjtorët, në gjirin e Avrahamit në Mbretërinë e Qiejve!
Qoftë e lumtur udha në të cilën shkon ti sot, sepse të është përgatitur vendi i prehjes lart në qiell. Parajsë të mbarë, o vëllai ynë i lumtur dhe i përherë kujtuar”, thuhet në njoftim.