Ra takimi në “Kino Armatë” e ministri Çeku na pa

14 janar 2022 | 21:14

Sonte, me fillim nga ora 16.00 deri në orën 18.00, me ftesë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, z. Hajrulla Çeku, disa botues të Kosovës patën takim me të në “Kino Armatën” e Kosovës. Sa pashë aty dhe sa kam parë në emailin që na ka dërguar shefja e kabinetit të tij, në takim kishin ardhur mbi nëntëdhjetë për qind e atyre që i kishte ftuar. Nuk kishin ardhur edhe anëtarët e Këshillit të Librit me të cilët botuesit kanë punë më së shumti, me përjashtim të të deleguarit nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, z. Berisha. Kishin ardhur edhe të tjerë pa ftuar, që s’janë fare botues. Kishin ardhur botues të mëdhenj, mesatarë, të vegjël; të mirë dhe të këqij dhe të atillë që e botojnë një ose dy libra në vit vetëm me paratë e MKRS-së dhe bëjnë gërdinë me veprimtarinë botuese, që çoroditin librat dhe tregun e librit! S’ka asgjë të keqe që kishin ardhur dhe që kërkojnë ndihmë vetëm nga MKRS-ja dhe i ankohen vetëm ministrit. Mirë që kishin ardhur për të dhënë kontribut për fushën e veprimtarisë botuese ata që mendojnë se e njohin këtë fushë. Por, jo të gjithë dhanë kontribut për këtë fushë. Disa nuk e folën asnjë fjalë, disa kishin ardhur për t’u ankuar dhe për të larë hesape, disa të tjerë për të treguar kush janë në Kosovë, kë e kanë votuar në zgjedhjet e fundit dhe disa të tjerë kush janë kur janë në vende të tjera, disa të tjerë për të treguar se janë fitues të çmimeve vjetore, disa të tjerë për të dhënë ide për ministrin për strategjinë e re në fushën e kulturës që, sipas ministrit Çeku, po punon ministria për të dhe, u bëri ftesë ministri botuesve, “se të gjitha rastet korruptive që mund të ndodhin në MKRS e për të cilat keni dijeni, raportojini tek unë se jam i interesuar t’i dërgoj në gjykatë. Vetëm ofroni dëshmi, jo fjalë”. Disa ide të kolegëve i kundërshtova, disa m’i kundërshtuan, për disa u pajtuam dhe disa i dhashë edhe unë që, shpresoj, do të merren parasysh nga ministri Çeku që, së bashku me zyrtarët e MKRS-së, mbante shënime gjithë kohën.

Edhe pse gjatë debatit lihej përshtypja se do të hartohet një strategji e re për librin, që më pastaj do të themelohet një qendër kombëtare ose institut i librit brenda MKRS-së, shpresoj mos të themelohet kurrë dhe, po ashtu, shpresoj të mos merret kurrë model Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit e Shqipërisë e cila, qysh me rastin e themelimit, i ka dëmtuar dhe dërrmuar botuesit nga Shqipëria. Sot, po të pyesësh pjesën më të madhe të botuesve të Shqipërisë për atë qendër (i kam pyetur dhjetëra herë dhjetëra botues), asnjëri s’e flet një fjalë të mirë për të. Secili të thotë për të se merret vetëm me promovim të librave të disa autorëve, të atyre autorëve që kanë miqësi me themeluesit dhe me organizuesit e aktiviteteve të kësaj qendre që shpërndajnë vetëm jetëshkrime të autorëve dhe të vargjeve të tyre në rrjete sociale, e jo që ngrehin zërin ndonjëherë edhe për përkrahje materiale të botuesve. Thjesht, s’e çajnë kokën për ta. Prandaj, të merret model ajo qendër nga Kosova është gabim. Ajo Qendër Kombëtare e Librit dhe e Leximit e Shqipërisë jep për çdo vit jo më shumë se 15 000.00 – 20 000.00 euro për të gjithë botuesit e Shqipërisë bërë bashkë. Nganjëherë edhe më pak se kaq. I përkrah krejt shtatë tetë botues për një libër në vlerë rreth ose pak mbi 1 000.00 euro. Ec e thuaji shtet i kulturës Shqipërisë! Assesi! Kurrë më!

MKRS-ja e Kosovës, për dallim prej saj, deri më tash, ani pse vazhdimisht udhëheqësit e saj kanë thënë se do ta rritin buxhetin për librin, e që deri më sot nuk është rritur, në disa raste vetëm është shkurtuar, prapëseprapë jep dhjetë fish më shumë se Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit e Shqipërisë dhe respekton Ligjin për Bibliotekat dhe Veprimtarinë Botuese. Prandaj nuk besoj se ministri Çeku, qeveria e majtë e udhëhequr nga Albin Kurti, do ta ndjekë politikën jokombëtare të Shqipërisë në fushën e veprimtarisë botuese. Mund ta ndjekë e ta marrë shembull ndonjë model të mirë, për shembull, të Sllovenisë, por assesi s’duhet ta ndjekë dhe ta marrë shembull atë të Shqipërisë, e cila, edhe njëzet e sa vjet pas luftës, nuk u jep para bibliotekave publike dhe asaj Kombëtare, as atyre shkollore, për blerje të librave nga botuesit e Kosovës. Pse duhet të merren këshilla nga Shqipëria kur, ani pse andej dhe këndej shqiptarë, nuk bashkëpunon për blerjen e librave nga botuesit e Kosovës?! Në të vërtetë, Kosovës, institucioneve publike dhe lokale të saj, “zorrët” u dalin jashtë duke blerë libra nga botuesit e Shqipërisë! Mbi 500 000.00 euro çdo vit, mos më shumë, blihen libra nga të gjithë botuesit e Shqipërisë, pa bërë përjashtim të asnjërit prej tyre. Në takim, përpos botues, kishte edhe librarë, të cilët mund të flitnin më saktë për këtë temë sesa që flitnin disa të tjerë që kishin ardhur të flitnin se sa lexohet në Kosovë nga të rinjtë e që tema në këtë takim ishte tjetër. Kontributi i atyre që flitnin për leximin e librave ishte zero dhe i paargumentuar, përpos një përfaqësuesi të një OJQ-je që kishte bërë disa anketa në terren për leximin e librave e të cilat ishin të panevojshme në këtë takim.

Çfarë thashë tjetër në takimin me ministrin Çeku.

Kërkova prej tij buxhet më të madh për veprimtarinë botuese të botuesve.

Premtoi se do të bëjë çmos ta rritë. Përmendi edhe një thirrje të rimëkëmbjes ekonomike këtë vit. Por, tashmë nuk është e mundur sepse Qeveria e Kosovës e ka ndërprerë këtë thirrje.

Kërkova nga ministri mundësi më të lehta për aplikim në thirrjen e botimit dhe të blerjes së librave. Kërkova që në konkursin e ardhshëm për blerje të librave nga MKRS-ja e njëjta mos t’i obligojë botuesit të dërgojnë nga dy ekzemplarë, por vetëm nga një, pasi që vetëm po ngarkohet administrata e MKRS-së me libra dhe po mbesin në korridoret e saj.

E mori parasysh. Të shohim kur të shpallet konkursi nëse do ta tumirë këtë kërkesë.

Kërkova, gjithashtu prej tij dhe prej MKRS-së, që me rastin e shpalljes së konkursit për përkrahje financiare, ta kërkojë nga botuesit Vërtetimin Tatimor nga ATK-ja me të cilin dëshmohet, po qe se u lëshohet, kryerja e obligimeve ndaj saj.

E mori parasysh edhe këtë. Të shohim kur të shpallet konkursi nëse do ta tumirë këtë kërkesë.

Së këndejmi, kërkova që dorëshkrimet e librave t’i lexojnë anëtarët e Këshillit të Librit para se t’i përzgjedhin dorëshkrimet për përkrahje financiare nga MKRS-ja.

Harrova t’i them ministrit, edhe pse e kisha ndër mend, por s’lejohej marrja e fjalës orë e çast, po qe se ka vullnet t’i përkrahë botuesit e Kosovës më shumë e jo t’i ndëshkojë sikurse i ka ndëshkuar Ministria e Kulturës e Shqipërisë botuesit e Shqipërisë, taksapaguesit e vet (që janë autorë librash dhe botues), duhesh të informohesh sa i përkrah Ministria e Kulturës e Maqedonisë botuesit e shtetit të vet. Miliona euro jep çdo vit për ta, ministër. Prandaj çfarë duhet të bëni është ta vazhdoni shpalljen e konkurseve për botim të librave e të revistave dhe për blerjen e librave jo vetëm në vitin 2022, por derisa të jeni ministër kulture. Po qe se dikujt tjetër i teket të bëjë ndryshime, le t’i bëjë. Mos i bëni ju, se nuk është në favorin as të botuesve, as të autorëve, as të programit të Lëvizjes Vetëvendosjes të cilin e kam lexuar ende pa u bërë ju ministër, por as të Lëvizjes Vetëvendosje. Pakënaqësitë e botuesve të Kosovës, po qe se veprohet siç është vepruar në Shqipëri disa vjet më parë, do të jenë të mëdha dhe ndëshkuese për partinë tuaj. Vetëm ju bëjnë dëme dhe e përlyejnë MKRS-në në raste korruptive, sepse ju patjetër duhet të punësoni në atë qendër ose në atë institut njerëz që kurdoherë do të anojnë kah dikush tjetër. Lëruani këtë punë anëtarëve të Këshillit të Librit. Po qe se doni, po qe se mendoni se nuk kanë bërë përzgjedhje të mirë të dorëshkrimeve të librave dhe të librave gjatë viteve, ndërrojini qysh nesër me të tjerë më të mirë. Pra, po qe se doni, po qe se jeni i pakënaqur me punën e tyre, të cilën nuk e shprehët në asnjë çast, ndërrojini ata katër që i emëroni ju dhe kërkoni nga institucionet anëtarë të tjerë. E keni mundësinë.

Po qe se ju duhen ide të tjera për librin, na ftoni edhe në ndonjë takim tjetër. Unë vij pa përtesë edhe kur bëhet zhurmë.

Shëndet dhe punë të mbarë gjatë gjithë vitit!

Ju faleminderit për ftesën, për bashkëpunimin dhe për bashkëbisedimin!

 

Me nderime,

Berat Dakaj,

drejtor i shtëpisë botuese “Armagedoni”

 

Prishtinë, 14.01.2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi…