Rabiot në ‘radarin’ e Milanit
Milani ka hedhur hapat e parë për të kuptuar mundësinë e afrimit të Adrien Rabiot, i cili aktualisht është jashtë planeve të Olympique Marseille të Roberto De Zerbit. Sipas Sportmediaset, drejtuesit kuqezinj kanë kryer një sondazh paraprak, por operacioni duket i ndërlikuar.
Mesfushori francez është vendosur jashtë skuadre nga klubi pas një konflikti të ashpër pas ndeshjes me Rennes, ku pati një përplasje me shokun e ekipit Jonathan Rowe.
Ribashkimi me Massimiliano Allegrin, i cili e ka pasur gjithmonë si lojtar të preferuar, nuk përjashtohet. Vetë Rabiot, vetëm dy muaj më parë, kishte lënë të hapur derën:
“Te Marseille luaj në Champions, por është e qartë që nëse më thërret Allegri, do të jem gjithmonë i gatshëm ta dëgjoj. Me të flas shpesh, e respektoj shumë, ka një mentalitet fitues”, deklaroi francezi për “La Gazzetta dello Sport”.
Në rast transferimi, Rabiot shihet si zëvendësuesi ideal i Reijnders, por pengesa kryesore mbetet paga e tij e lartë: aktualisht 3,5 milionë euro neto që mund të arrijnë deri në 5 milionë me bonuset.



