Radoniqi: KQZ-ja ka detyrë të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë të lira, të drejta dhe transparente

04 shtator 2025 | 11:28

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e 93 subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale të 12 tetorit.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se kjo shënon hyrjen në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor, i cili po zhvillohet në mënyrë transparente dhe të barabartë për të gjitha subjektet, raporton Ekonomia Online.

“Kjo ngjarje ka simbolikën e vet sepse tregon që kemi hyrë në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor që kemi filluar që nga mesi i muajit qershor. Procedura e shortit është transparente dhe është e barabartë për të gjitha partitë politike. Në këtë drejtim KQZ-ja ka detyrë të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë të lira, të drejta dhe transparente, të mbështetura me Kushtetutë dhe standardet më të mira ndërkombëtare. Shpreh përkushtimin e plotë për angazhimin tonë që të përmbushim këto objektiva, në mënyrë që qytetarët të shprehin vullnetin dhe që zgjedhjet të gëzojnë besimin e plotë. KQZ është angazhuar intensivisht për zgjedhjet dhe po realizohen të gjitha planet sipas planit. Pas hedhjes së shortit, KQZ do të miratojë dizajnin për përmbajtjen e fletëvotimeve për të mundësuar nga 17 shtatori fillimin e votimit me postë me mbi 46 mijë persona jashtë Kosovës. Aktiviteti i sotëm i hap rrugën 93 subjekteve politike që nga 13 shtatori të fillojnë fushatën e tyre”, tha ai.

Për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksierët kosovare i kanë mësuar emrat e kundërshtarëve me të…