
Radoniqi: KQZ ka bashkëpunuar me një kompani të Britanisë për sigurinë e platformës elektronike
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se platforma elektronike për rezultate, është duke vazhduar të funksionojë pa ndonjë problem dhe vetëm gjatë ditës së sotme, më shumë se 3.5 milionë vizitorë unikë janë shërbyer me informacione që janë përditësuar rregullisht.
Në një konferencë për media, ai ka theksuar se për të adresuar sfidat e hasura gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në muajin shkurt të këtij viti, veçanërisht ato që lidhen me përpilimin dhe publikimin e votave, KQZ ka bashkëpunuar me një kompani ndërkombëtare me seli në Mbretërinë e Bashkuar.
“KQZ ka punuar gjithashtu në bashkëpunim me këtë organizatë për të kryer testime të infrastrukturës IT të sistemeve që janë të qasshme nga jashtë, si dhe për të ofruar monitorim të avancuar gjatë gjithë periudhës zgjedhore, në mënyrë që të mbrohet nga sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve”.
“Pra, KQZ ka bashkëpunuar me ‘BAE Systems Digital Intelligence’, një organizatë ndërkombëtare me seli në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka partneritet me Arcus Security, një kompani vendore e sigurisë në fushën e IT-së, për të ofruar softuerin e kërkuar dhe zgjidhjet përkatëse të sigurisë në teknologjinë e informacionit. Ky projekt mbështetet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë Radoniqi.
Radoniqi theksoi se zhvillimi i softuerit dhe përmirësimi i sigurisë kibernetike në infrastrukturën zgjedhore nga kompania britanike nuk ka ndonjë kosto specifike për KQZ-në.