Rafuna: Bizneset u detyruan të dalin në tregun e lirë energjetik, kjo po e mbyt prodhimin vendor
Në “Përballje Podcast”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike pa paralajmërim, duke u përballur me çmime shumëfish më të larta.
Ky podcast mbështetet nga kompania e derivateve EXFIS. “Kishim njoftim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që më 1 qershor të gjitha bizneset e mëdha të dalin në tregun e hapur”, tha Rafuna, duke theksuar se kjo i zuri kompanitë në befasi. “Bizneset nuk ishin të përgatitura. Disa kishin nisur investime në zgjerim, e u detyruan t’i ndalin dhe t’i orientojnë drejt paneleve solare e baterive”.
Sipas tij, mungesa e konkurrencës në tregun e lirë krijoi hapësirë për monopole. “Në atë kohë, KEK-u s’furnizonte, NOA refuzoi, dhe vetëm KEDS përmes KESCO-s mbeti furnizues. Çmimi i energjisë u rrit 200 deri në 400 për qind krahasuar me më herët”, ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Rafuna theksoi se Oda nuk është kundër tregut të lirë, por kundër mënyrës si u zbatua. “Nuk jemi kundër daljes në treg të lirë, por kemi kërkuar shtyrje proces transparent dhe dialog publik-privat që të mos dëmtohen bizneset”, ka thënë Rafuna në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ai shtoi se Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të dorëzohet, duke kujtuar se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për padinë e ngritur kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Ai ka shtuar se çmimi i rrymës po e mbyt prodhimin vendor dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së prodhimit dhe në konkurrueshmërinë e bizneseve vendore.
“Çmim i energjisë elektrike është kosto operative për biznesin dhe ajo kalkulohet në çmimin final të produktit. Me automatizëm, produkti ynë del më i shtrenjtë se ai i importuar”, tha Rafuna.
Ai paralajmëroi se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët dhe konsumatorët.



